Last Updated on 19/08/2026 by Monika
Në Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit (Bashkia Tiranë) prezantuan pranë Parkut Rinia, një ekspozitë me imazhe nga objektivi i fotografëve korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci.

Në kuadër të simbolikës së kësaj dite, shpalosëm për publikun kryeqytetas momente të jetës së përditshme të krahinës së Korçës në shek. XX-të, të përjetësuara në celuloid nga dy prej pionierëve të fotografisë shqiptare.

Përmes këtyre imazheve, që ruhen në Fototekën e DPA-së, e dyta më e madhe në vend për fotot para vitit 1944, paraqitëm portrete dhe aspekte të jetës urbane dhe në periferi, fiksuar në negativë xhami.

Krahas rreth 10,000 fotografive që u përkasin fotografëve Burda dhe Raci, Fototeka e DPA-së numëron rreth 135.000 fotografi origjinale. Prej tyre, rreth 41.000 i përkasin veprimtarisë politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve dhe Shqipërisë deri në vitet 1944. Ndërsa rreth 43.000 fotografi i përkasin fondit të Insitutit Luce gjatë periudhës së pushtimit fashist.

Falë procesit të digjitalizimit Fototeka e DPA-së garanton akses të menjëhershëm të qytetarëve, blerjen e imazheve të riprodhuara me rezolucion të lartë, si edhe ruajtjen e tyre afatgjatë në trajtën autentike.
