nga Livia Parisi
“Zgjedhja për t’ia kushtuar jetën time profesionale shkencës lindi gjatë viteve të shkollës së mesme. Isha 17 vjeçe dhe ndiqja shkollën klasike. Lexova një biografi të shkencëtares polake Marie Curie dhe mbeta thellësisht e impresionuar,” rrëfen Gianotti.
Nga viti 2016 deri në vitin 2025, Fabiola Gianotti ishte gruaja e parë që mbajti pozicionin e Drejtoreshës së Përgjithshme të CERN (Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore) në Gjenevë, laboratori më prestigjioz i fizikës së grimcave në botë. Këtu studiohen pjesët më të vogla të materies, të ashtuquajturat “blloqe ndërtuese të universit”, dhe forcat që i qeverisin ato. E lindur në Romë në vitin 1962, Gianotti studioi në Milano, ku u diplomua në Fizikë në Universitetin Shtetëror, ndërsa pasionet e saj përfshijnë edhe muzikën klasike.
Dy herë fituese e Çmimit Nobel dhe pionere në studimin e radioaktivitetit, Marie Curie ishte një nga gratë e para që afirmoi veten në shkencë në një epokë të dominuar nga meshkujt, duke zbuluar elementë si poloniumin dhe radiumin. “Ai libër për jetën e saj më preku fort që në moshë të vogël,” kujton Gianotti. “Isha një fëmijë shumë kurioz, gjithmonë e magjepsur nga pyetjet themelore rreth ligjeve që qeverisin natyrën dhe universin. Kuptova se fizika mund të më ofronte çelësat për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve.”
Higgs, Atlas dhe presioni i zbulimit
Një nga momentet më intensive të karrierës së saj në CERN ishte zbulimi i bozonit të Higgs, i domosdoshëm për fizikën, pasi shpjegon se si grimcat elementare fitojnë masë. Gianotti ishte përgjegjëse për eksperimentin ATLAS në Përplasësin e Madh të Hadroneve, i cili, së bashku me eksperimentin CMS, vëzhgoi këtë grimcë për herë të parë.
“Javët para njoftimit, tensioni ishte jashtëzakonisht i lartë. Punonim pa u lodhur, ditë e natë, duke analizuar sasi të mëdha të dhënash, duke kontrolluar çdo matje dhe grafik, duke krahasuar rezultatet dhe duke kryer qindra kontrolle për t’u siguruar që çdo detaj ishte i saktë,” kujton Gianotti. “Në korridoret e CERN-it kishte një përzierje eksitimi dhe ankthi. Presioni ishte i jashtëzakonshëm, por dijenia se ishim afër diçkaje historike na shtyu të vazhdonim. Gjithashtu duhej të ruanim konfidencialitetin maksimal për rezultatet, një sfidë e vërtetë për rreth 3,000 bashkëpunëtorët që merrnin pjesë në eksperiment.”
Më 4 korrik 2012 erdhi momenti historik i njoftimit. “Mbaj mend shumë mirë kur prezantova rezultatet në auditorin e mbushur plot të CERN-it. Entuziazmi dhe ngazëllimi ishin të prekshëm; ndihesha sikur të isha në një koncert roku. Në pak orë, tensioni dhe lodhja e grumbulluar gjatë muajve të mëparshëm u zhduk, duke i lënë vendin entuziazmit tek mijëra fizikanë, inxhinierë, teknikë dhe staf administrativ që kishin kontribuar.”
Lidershipi dhe sfidat
Pranimi i kandidaturës për drejtimin e CERN-it ishte një nga vendimet më të vështira të jetës së saj. “Dhe pas zgjedhjeve mendova: ‘O Zot, në çfarë rrëmuje e kam futur veten. Çfarë do të bëj tani?’”
Si grua në krye të njërit prej institucioneve më prestigjioze shkencore, Gianotti ndeshi vështirësi të natyrshme nga paragjykimet gjinore. “Kur je pjesë e një pakice dhe mban një pozicion përgjegjësie dhe dukshmërie, të gjithë sytë janë mbi ty. Duhet të provosh vazhdimisht vlerën tënde. Kur isha më e re, kjo më stresonte shumë. Me kalimin e viteve, mësova të krijoj rrugën time.” Ajo këshillon shkencëtaret e reja: “Mos u dekurajoni nga padrejtësitë; nxirrni më të mirën nga vetja për të provuar vlerën tuaj.”
Gianotti ka punuar për promovimin e barazisë gjinore dhe diversitetit në shkencë. Nën drejtimin e saj, përqindja e grave të punësuara në CERN u rrit nga 21.9% në vitin 2021 në 25% në vitin 2025, përmes politikave gjithëpërfshirëse dhe mbështetjes për aftësinë e kufizuar dhe neurodiversitetin.
Jeta personale dhe pasionet
Për Gianotti, pasioni për shkencën bashkohet me pasionet jashtë saj: sportet, muzika klasike dhe koha me familjen dhe miqtë. Ajo u diplomua në konservator për piano dhe thekson rëndësinë e një jeta të ekuilibruar: “Është thelbësore për të qenë një shkencëtare e mirë dhe për të mbajtur një mendje të kthjellët në situata komplekse.”
Burimi: ansa.i/ Përgatiti: L.Veizi
