Last Updated on 02/05/2026 by EL
Kompania amerikane “Spirit Airlines” mbylli aktivitetin e saj pasi dështoi të siguronte një paketë shpëtimi prej 500 milionë dollarësh nga administrata Trump.
Linja ajrore me kosto të ulët ishte në bisedime me qeverinë amerikane për një marrëveshje që do ta kishte shpëtuar atë nga falimentimi, por sipas saj rritja e çmimeve të karburantit e shkaktuar nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit i dha një goditje të rëndë kompanisë që ishte në vështirësi.
“Me zhgënjim të madh njoftojmë se kemi filluar një reduktim të rregullt të operacioneve tona, i cili hyn në fuqi menjëherë”.- thuhet në njoftimin e saj.
“Të gjitha fluturimet tona janë anuluar dhe klientët e ‘Spirit’ nuk duhet të shkojnë në aeroport’- nënvizoi kompania e cila operon në tregun ajor amerikan prej mbi 30 vitesh.
“Rritja marramendëse e çmimeve të karburantit për avionë që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme nuk na la asnjë alternativë tjetër përveçse të ndiqnim një mbyllje të rregullt të Kompanisë”- bëri me dije drejtuesi i kompanisë , e cila kishte deklaruar falimentin dy herë brenda vitit 2025.
“Spirit Airlines” filloi të ofrojë fluturime me kosto të ulët në vitin 1992. Kompania ishte e njohur për aeroplanët e saj me ngjyrë të verdhë dhe kishte të punësuar rreth 11 mijë persona./et
