Gjykata ka lënë në burg dy ish-drejtorët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, E.Sh dhe B.K. Masa e sigurisë “arrest në burg” është lënë dhe për juristin P.Ç. Ndërkohë bëhet me dije se për biznesmenin K.H., është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, shtetasi K.H., duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe toke prej 1,143 hektarësh, si dhe 150.000 euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, shtetasi K.H., duke u paraqitur në cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.
Shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK në Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit K.H., në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë bëhet me dije se në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarësh tokë si dhe 150.000 euro./mxh
