Një faqe lajmesh që përdor më shumë se 100 “korrespondentë” të krijuar me Inteligjencë Artificiale ka ngritur shqetësime në Kanada për mënyrën se si AI po përdor përmbajtjet e prodhuara nga gazetarët dhe mediat tradicionale.
Bëhet fjalë për We News, një faqe që sipas medias kanadeze duket se operon nga Hong Kongu dhe publikon artikuj të krijuar me AI, duke mbledhur informacione nga raportimet e mediave reale dhe burimet zyrtare.
Për mbulimin e Nunavutit, faqja ka krijuar edhe një korrespondente virtuale me emrin Leah Qammaniq, e pajisur me një fotografi dhe biografi të gjeneruar nga AI. Në profilin e saj pretendohet se ajo është “rritur në Veri”, duke krijuar përshtypjen e një gazetareje reale me lidhje me komunitetin lokal.
We News përdor informacione të publikuara nga media të tjera si Nunavut News dhe CBC, për t’i përpunuar më pas në artikuj të rinj me Inteligjencë Artificiale.
Kjo ka ngritur shqetësime se mediat tradicionale po detyrohen të konkurrojnë me platforma që përdorin vetë punën e gazetarëve të tyre për të prodhuar përmbajtje të automatizuar.
Përfaqësues të organizatave të medias në Kanada kanë reaguar ashpër. Presidenti i News Media Canada, Paul Deegan, e ka cilësuar fenomenin si “vjedhje” në “shkallë industriale”, ndërsa presidenti i Canadian Association of Journalists, Brent Jolly, ka paralajmëruar për ndikimin që përdorimi i tillë i AI-së mund të ketë mbi të drejtën e publikut për t’u informuar.
Një tjetër shqetësim lidhet me modelin ekonomik. We News shfaq reklama të Google, çka nënkupton se faqja mund të gjenerojë të ardhura nga përmbajtje të krijuara mbi bazën e raportimeve të mediave të tjera.
Rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi autenticitetin e lajmeve, të drejtat mbi përmbajtjen dhe kufijtë e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në gazetari./ad
