Policia Federale e Argjentinës kontrolloi banesën e një adoleshenti në Buenos Aires, pasi autoritetet amerikane ngritën alarmin për biseda të tij me ChatGPT lidhur me një sulm të mundshëm ndaj shokëve të shkollës.
Sipas Buenos Aires Herald, hetimi nisi më 19 gusht, pas një informacioni të përcjellë nga zyra e FBI-së pranë Ambasadës së SHBA-së në Argjentinë.
Autoritetet thonë se i mituri kishte zhvilluar biseda me platformën e Inteligjencës Artificiale rreth një sulmi të mundshëm në shkollë gjatë vitit 2027.
Rasti iu referua Prokurorisë Penale për të Mitur në Quilmes, e cila aktivizoi procedurat e saj të hetimit.
Kontrolli në banesën e adoleshentit u krye dy ditë pas marrjes së sinjalizimit dhe policia sekuestroi telefona dhe sende të tjera që do t’i nënshtrohen verifikimit.
Adoleshenti është proceduar për veprën e dyshuar të “frikësimit publik” dhe është thirrur në prokurori. Sipas raportimit, deri në atë moment as ai dhe as prindërit e tij nuk kishin dhënë dëshmi lidhur me çështjen.
Prokuroria lokale thotë se raste të ngjashme të kërcënimeve dhe frikësimit publik janë shtuar, duke sjellë hetime dhe kontrolle nga autoritetet.
Rasti po hetohet për të përcaktuar rrethanat dhe seriozitetin e kërcënimeve të raportuara./ad
