Waits, Driver, Rampling dhe Blanchett: familja e çuditshme e Jarmusch-it
nga Francesco Gallo
Askush nuk e kishte parashikuar që “Father Mother Sister Brother”, filmi i çmendur dhe ultra-minimalist i firmosur nga Jim Jarmusch, që nga 18 dhjetori del në kinema me Lucky Red, do të përfundonte duke fituar Luanin e Artë në Venecia.
Kjo edhe më tepër në një vit kur në garë ishte “The Voice of Hind Rajab”, me ngarkesën e tij të fortë politike dhe njerëzore nga regjisorja tuniziane Kaouther Ben Hania, e cila i kishte dhënë zë një vajze pesëvjeçare nga Gaza, e mbyllur në një makinë mes trupave të pajetë të të afërmve të saj, duke kërkuar ndihmë.
Pa përmendur edhe tre filma të tjerë në konkurrencë me “Father Mother Sister Brother”: lufta atomike e evokuar në “A House of Dynamite” nga Kathryn Bigelow; “Frankenstein”-i “i bukur dhe i pamundur” i Guillermo Del Toro-s, prodhim Netflix; dhe, së fundi, “No Other Choice” i Park Chan-Wook, me metodën e tij origjinale, të mbushur me plumba, për të mposhtur konkurrencën në punë.
E megjithatë, në këtë fitore të Jarmusch-it, ndoshta ka një logjikë të veçantë.
Përballë empatisë së filmave rivalë, fitoi diçka më afër së tashmes: lehtësia e ftohtë dhe mungesa e empatisë që karakterizon shumë familje bashkëkohore, shpesh të sëmura nga një anafektivitet kronik.
Ja tre episodet e “Father Mother Sister Brother”, të vendosura në tre kontekste të ndryshme — Shtetet e Bashkuara, Irlanda dhe Franca — me histori që flasin për largësi, marrëdhënie të ndërlikuara, deri në afazi.
Në episodin e parë, “Father”, Jeff (Adam Driver) dhe Emily (Mayim Bialik), një vëlla dhe një motër mjaft të zakonshëm, shkojnë për të vizituar babanë e tyre ekscentrik (Tom Waits) në verilindje të SHBA-së. Pak fjalë të thëna me vështirësi, natyra tepër të ndryshme dhe pauza të gjata për të fshehur një marrëdhënie që është vetëm trishtuese dhe biologjike.
Në të dytin, “Mother”, jemi në Dublin, me një nënë (Charlotte Rampling), shkrimtare e famshme, e përballur me takimin e përvitshëm me dy vajza po aq të huaja për të: Timothea e qetë (Cate Blanchett) dhe Lilith më e trazuar (Vicky Krieps).
Vetëm në episodin e tretë, që zhvillohet në Paris, familja gjen njëfarë shpengimi: historia e dy binjakëve — Billy (Luka Sabbat) dhe Skye (Indya Moore) — të cilët, në shtëpinë e prindërve të ndarë së fundmi nga jeta, rikthejnë kujtimet përmes objekteve të mbetura në dhomat bosh ku janë rritur.
“Nuk e di aspak se nga më erdhi ideja, por për mua ka qenë gjithmonë kështu. Di vetëm që e kam shkruar për vetëm tre javë dhe që e konsideroj këtë film në tre pjesë si një vepër të vetme. Shkruaj duke imagjinuar tashmë aktorët që do të luajnë role të caktuara dhe rezultati, duhet ta them, më ka kënaqur shumë”, kishte komentuar Jim Jarmusch në Lido.
Dhe, duke iu përgjigjur në mënyrë profetike një prej kritikave kryesore që do të pasonin — minimalizmit të tepruar të disa veprave të tij — ai shtoi: “Kur xhiroj një film, edhe nëse ka një subjekt të thjeshtë, kërkon një përqendrim të madh dhe më lodh shumë, sepse është shumë më e vështirë të punosh mbi detajet sesa të xhirosh një tufë zombish të shfrenuar që zbresin nga një tren.”
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
