Last Updated on 07/09/2026 by EL
Një kompani sigurimi ka paguar mesatarisht 175 mijë lekë për dëmet që pësuan makinat në aksident apo ngjarje të tjera. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), dëmi mesatar i paguar në janar-korrik të 2026 është rritur me thuajse 4.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo rritje e pagesave të dëmeve është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shtimit të aksidenteve rrugore. Këtë fakt e konfirmojnë edhe shifrat e INSTAT, të cilat tregojnë se në janar-korrik të këtij viti ka pasur 110 ose 10% më shumë aksidente se shtatëmujori i 2025.
Ndër të gjitha produktet e sigurimit motorik, vetëm MTPL e brendshme që është e detyrueshme, ka pasur rritje të vlerës së dëmit mesatar, ndërkohë që sigurimi Kasko, ai kufitar dhe Kartoni Jeshil rezultojnë me rënie të pagesës së dëmeve. Pra, nuk ka pasur shumë raste aksidentesh të makinave me targa shqiptare që dalin jashtë vendit apo atyre me targa të huaja që hyjnë në territorin shqiptar.
Nëse bëjmë një krahasim me dëmin mesatar të sigurimit të jetës, ky i fundit është me një rënie prej gati 8%. Pra, rreth 91 mijë lekë rezulton të ketë paguar një kompani sigurimi për rastet e humbjes së jetës apo problemeve me shëndetin.
Teksa edhe kjo e hënë ka nisur me një bilanc tragjik në rrugët e vendit, me dy të vdekur dhe nëntë të plagosur si pasojë e përplasjes, këto ngjarje na tregojnë edhe një herë se sa i rëndësishëm është sigurimi, jo se ky i fundit mund të shpëtojë jetë, pasi kjo varet nga kujdesi që çdo shofer shfaq në drejtimin e automjetit, por të paktën mbulon shpenzimet e dëmeve nga një ngjarje e tillë./et
