Last Updated on 04/10/2026 by Anisa
Gjashtë fëmijë të njërit prej kopshteve në Korçë u raportua se u helmuan dhe me simptoma të vjella në spital, për shkak të ushqimit. Prindi i njërit prej vogëlushëve të prekur shprehet për mediat se numri i fëmijëve të prekur mundet që të jetë trefish më i lartë nga seç u tha në fillim.
“Me shifër të saktë nuk e di, me përafërsi mendoj se mund të jenë diku te 20 fëmijë. Me sa dëgjova nga të gjithë prindërit që u interesuam, një pjesë ishim në një gjendje që morëm trajtim në spital, por të gjithë shfaqën simptoma, dikush më të lehta, dikush më të rënda, por që pothuajse të gjithë shfaqën simptoma. Madje një pjesë e shfaqën edhe ditën pasardhëse.”, tha Koço Xexo për emdiat.
Ndërsa më tej, Xexo ka zbuluar dhe menunë ushqimore që helmoi vogëlushët e Korçës. Konkretisht mësohet se fëmijët kanë ngrënë në kopsht: bukë me vezë për mëngjes dhe për drekë pilaf, mish pule dhe kos.
“Mjekja, djalit tim të paktën i bëri analiza të plota sepse ishte pak shqetësuese në fillim dhe doli që kishte helmim më tha nga produktet ushqimore, dyshonte për këtë. Ndërkohë që dhe analizat treguan që kishte rruaza të larta të bardha të gjakut që tregonte që kishte një vështirësi më shumë në organizëm nga kjo punë, nga helmimi.”, shton më tej prindi.
Sa i përket drejtoreshës së kopshtit e cila është vënë nën hetim pasi dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimet për kontrollin e ushqimit që u është shërbyer fëmijëve, Xexo thotë se ajo është “zhdukur”. Në vend që të përballet me drejtësinë dhe prindërit e fëmijëve të cilët u helmuan nga pakujdesia e saj dhe stafit të kopshtit, drejtoresha me iniciale M.K, nuk u përgjigjet telefonata të prindërve./ad
