Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama këtë të premte po zhvillon një konferencë për mediat me komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes që po mbahet në Tiranë.
Duke e cilësuar ecurinë e Shqipërisë në këtë proces si tejet pozitive, Rama vuri në dukje se takimet e 48 orëve të fundit në Bruksel dhe Tiranë kanë pasur në fokus katër shtylla kryesore: reformat, integrimin hap pas hapi në Tregun e Vetëm Europian, konvergjencën ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.
“Kanë qenë 48 orë të mbushura me Evropë për Ballkanin Perëndimor: nga Samiti Vjetor BE–Ballkani Perëndimor me BE-në në Bruksel, te Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, në edicionin e saj të dytë në Tiranë, dhe sot, Samiti i Planit të Rritjes, i cili për Shqipërinë po ecën më së miri.
Siç e konfirmoi edhe Komisionerja, Shqipëria do të marrë nga Plani edhe 15% më shumë të shumës së saj, në bazë të rishpërndarjes së fondeve që nuk mund të përthithen nga vendet e tjera.
Katër ishin drejtimet kryesore të diskutimit, sepse katër janë edhe drejtimet e punës sonë të madhe. Së pari, reformat, të cilat forcojnë sundimin e ligjit, përmirësojnë qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.
Së dyti, integrimi hap pas hapi në Tregun e Vetëm Evropian. Njëmbëdhjetë muaj më parë, Shqipëria hyri në sistemin evropian të transaksioneve të parasë dhe pagesave. Gjatë këtyre 11 muajve janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë prej 8.7 miliardë eurosh.
Kursimet e shqiptarëve, falë hyrjes në këtë sistem, arrijnë deri tani në 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë euro kursime në vit, për qytetarët dhe bizneset shqiptare, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët. Regjimi i roaming-ut, i cili po lehtësohet për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që, në vitin 2027, qytetarët tanë të përfitojnë tarifa të reduktuara roaming-u”, tha Rama./ad
