Fermerët në jug të Belgjikës zhvilluan një protestë të fortë në orët e para të së premtes, duke bllokuar disa nga autostradat kryesore pranë zonës së Loncin, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes tregtare BE–Mercosur.
Protesta u realizua me traktorë dhe kamionë, ndërsa fermerët ndezën zjarre në mes të rrugëve, vendosën fuçi dhe hodhën goma të vjetra, duke shkaktuar bllokim të rëndë të trafikut dhe kaos në qarkullim për disa orë.
Fermerët shprehën shqetësimin se marrëveshja tregtare mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Amerikës së Jugut do të dëmtojë rëndë bujqësinë vendase, duke rritur konkurrencën nga importet më të lira dhe duke vënë në rrezik mbijetesën e fermave belge.
Pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave në disa vende të Bashkimit Europian, më vonë gjatë së premtes, ambasadorët e BE-së dhanë miratimin paraprak për marrëveshjen Mercosur, duke hapur rrugën për nënshkrimin e saj pas 25 vitesh negociata.
Marrëveshja mbetet një çështje e debatueshme në të gjithë bllokun europian, veçanërisht mes fermerëve, të cilët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat nëse shqetësimet e tyre nuk merren parasysh./mxh
