Last Updated on 20/04/2026 by EL
Një telefonatë në sallën operative e cila fatmirësisht ka rezultuar false, ka alarmuar Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit dhe Komisariatin e Patosit, pasi fillimisht është raportuar për një krim brenda familjes.
Bëhet fjalë për një banor të fshatit Dukas në Patos, i cili ka telefonuar sallën operative dhe ka njoftuar policët se kishte vrarë gruan. Menjëherë ëhstë bërë lokalizimi i thirrjes dhe efektivët janë nisur me urgjencë drejt Dukasit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Fier dhe ata të Komisariatit të Patosit kanë rrethuar shtëpinë e “autorit” dhe menjëherë kanë nisur kërkimet, për të gjetur trupin e “viktimës” dhe për të dokumentuar ngjarjen me prova ligjore.
Mirëpo, kur nuk është gjetur asnjë gjurmë nga krimi i pretenduar dhe nga marrja e dëshmisë paraprake të telefonuesit ka rezultuar se ai ka qenë nën efektin e alkoolit, pra i dehur, është konfirmuar se njoftimi në sallën operative ka qenë i rremë.
“Rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier, ka telefonuar shtetasi S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, Patos, i cili ka deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. T., 64 vjeçe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë kontaktuar me telefonuesin. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. T., në gjendje të dehur, kishte bërë një njoftim të rremë.
Shtetasja Sh. T. u gjet në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin S. T. në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e Policisë./et
