Saddam Hussein ëndërronte ta kthente Bagdatin në një qendër të prodhimeve kinematografike ndërkombëtare, por projekti i parë madhor humbi në vorbullën e luftës.
Me një buxhet të krahasueshëm me Return of the Jedi, një kast ndërkombëtar aktorësh dhe xhirime që përkuan me shpërthimin e luftës Iran-Irak, filmi Clash of Loyalties i presidentit irakian synonte të niste një epokë të re filmike. Në vend të kësaj, ai u shndërrua në një nga historitë më të çuditshme dhe më pak të njohura në historinë e kinematografisë.
Një ëndërr për një destinacion të ri kinematografik
Në korrik të vitit 1983, Clash of Loyalties pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, ku mori edhe një çmim. Pavarësisht buxhetit mbresëlënës, skenografisë gjigante dhe pjesëmarrjes së aktorëve të njohur britanikë, rrugëtimi i tij ishte i shkurtër. Pas shumë pak shfaqjeve, filmi u zhduk pothuajse tërësisht nga syri i publikut, duke lënë pas një histori që ngjan më shumë me një skenar filmi, sesa me ngjarje të vërteta.
Produksioni kishte ambicie shumë më të mëdha se një film thjesht historik. Pak pas ardhjes së tij në pushtet, në korrik të vitit 1979, Saddam Hussein vuri si qëllim krijimin e një industrie kinematografike të aftë për të tërhequr prodhime ndërkombëtare dhe për të projektuar një imazh ndryshe të Irakut jashtë vendit. Clash of Loyalties ishte hapi i parë dhe më ambicioz i këtij plani.
Për këtë qëllim u angazhuan qindra teknikë, figurantë dhe profesionistë nga Iraku dhe Britania, u transportuan pajisje nga Europa dhe u ndërtuan skena gjigante për të rikrijuar Irakun e fillimit të shekullit të 20-të. Sipas producentit britanik me origjinë irakiane, Latif Jorephani, Saddam Hussein e imagjinonte Bagdatin si një qendër të re të prodhimeve filmike ndërkombëtare.
Përgjegjësinë e produksionit e mori vetë Jorephani, i cili punonte në kinematografi që nga vitet 1950 dhe kishte përvojë në projekte ndërkombëtare në Lindjen e Mesme. Siç kujtonte më vonë, financimi nuk ishte kurrë një pengesë. Falë të ardhurave të larta nga nafta, ekzistonte dëshira për të investuar shuma të mëdha. Kur bashkëpunëtorët i shpjeguan Saddam Hussein-it se, që Iraku të fitonte një vend në industrinë ndërkombëtare, nevojitej një buxhet i barabartë me produksionet e mëdha të Hollivudit, ai dha dritën jeshile me një përgjigje të shkurtër: “Çfarëdo që të duhet.”
Filmi Clash of Loyalties, i cili në arabisht mbante titullin Al-mas’ala Al-Kubra (“Çështja e Madhe”), bazohej në kryengritjen e irakianëve kundër sundimit britanik në vitin 1920. Në qendër ishte vrasja e nënkolonelit britanik Gerald Leachman pranë Falluxhës nga një kryengritës irakian—një ngjarje e vërtetë që paraqitet si një moment kyç në formësimin e shtetit modern irakian. Nuk është rastësi që një nga protagonistët e quajti më vonë filmin “përgjigjja e Irakut ndaj Lorencit të Arabisë”.
Me protagonist aktorin britanik Oliver Reed dhe një buxhet prej rreth 30 milionë dollarësh—shumë e barabartë me atë të Return of the Jedi—gjithçka tregonte se plani ambicioz i Saddam Hussein mund të ishte fillimi i një serie produksionesh ndërkombëtare. Megjithatë, vetëm pak javë pas fillimit të xhirimeve, zhvillimet në rajon do të ndryshonin gjithçka.
Kur kinematografia u ndesh me luftën
Xhirimet sapo kishin filluar kur, në shtator të vitit 1980, Saddam Hussein urdhëroi pushtimin e Iranit nga Iraku, duke ndezur një luftë që do të zgjaste tetë vjet. Produksioni u ndërpre përkohësisht, por kjo pauzë zgjati vetëm dy javë. Sipas producentit Latif Jorephani, urdhri nga udhëheqja irakiane ishte që xhirimet të vazhdonin normalisht, me qëllim që jashtë të jepej imazhi se e përditshmja nuk ishte ndërprerë dhe se konflikti do të përfundonte së shpejti.
Realiteti, megjithatë, ishte krejtësisht ndryshe. Rreth 140 anëtarë të kastit dhe ekipit qëndronin në Irak, ndërkohë që vetëm pak kilometra më tutje zhvilloheshin beteja të vërteta. Shumica ishin mësuar të punonin në studiot britanike Shepperton dhe Pinewood ose në Hollivud, jo në një shkretëtirë ku dëgjoheshin shpërthime dhe kalonin avionë ushtarakë.
Problemet nuk vonuan të shfaqeshin:
-
Fluturimet e rrezikshme: Gjatë mbërritjes së aktorëve të huaj, avionët e tyre shoqëroheshin nga avionë luftarakë sapo hynin në hapësirën ajrore irakiane, ndërsa ulja bëhej me drita të fikura për të reduktuar rrezikun e ndonjë sulmi me raketa.
-
Mobilizimi i papritur: Në të njëjtën kohë, aktorë dhe teknikë irakianë mobilizoheshin papritur nga ushtria dhe niseshin për në front, duke e detyruar produksionin të rifillonte skena që ishin përfunduar tashmë.
-
Kalvari i armatimit: Transporti i armatimit të filmit u kthye në një tjetër kokëçarje. Kamionët që transportonin armë dhe mitralozë të Luftës së Parë Botërore, të prodhuara ekskluzivisht për nevojat e filmit, u bllokuan në kufirin turk, pasi autoritetet doganore besuan se bëhej fjalë për pajisje ushtarake të vërteta me destinacion ushtrinë irakiane. Pavarësisht shpjegimeve, ata nuk lejuan kalimin e tyre. Kështu, i gjithë ngarkesa u detyrua të ndiqte një rrugë shumë më të gjatë: përmes Greqisë, me anije në Liban, më pas në rrugë tokësore përmes Sirisë dhe në fund, duke kaluar shkretëtirën, mbërriti në Bagdat.
Kur realiteti tejkaloi skenarin
Vështirësitë e produksionit nuk kufizoheshin vetëm te mungesa e personelit apo te transporti i pajisjeve. Në një nga skenat më mbresëlënëse të filmit, parashikohej hedhja në erë e një treni ushtarak që transportonte municione. Për nevojat e xhirimeve u gjet një vijë hekurudhore e braktisur pranë kufirit met Iranin, ku u ngrit skena me shpërthime dhe efekte speciale.
Të nesërmen, megjithatë, fiksioni u përzie me realitetin. Mediat iraniane njoftuan se Rojet e Revolucionit kishin kryer një sulm të suksesshëm brenda Irakut, duke shkatërruar një tren ushtarak dhe duke vrarë ushtarë irakianë. Në të vërtetë, “sulmi” nuk ishte gjë tjetër veçse xhirimet e filmit.
Gjatë së njëjtës periudhë, protagonisti Oliver Reed kujdesej të krijonte problemet e veta. Historia më e njohur ndodhi në restorantin e një hoteli, kur ai, dukshëm i dehur, urinoi brenda një shisheje vere të zbrazët dhe i kërkoi kamerierit t’ia ofronte tavolinës ngjitur duke thënë me ironi: “Me përgëzimet e mia”.
Incidenti shkaktoi reagime të ashpra nga autoritetet irakiane. Producenti Latif Jorephani filloi të merrte telegrama nga ministrat që kërkonin largimin e menjëhershëm të aktorit nga vendi. Zëvendësimi i tij, megjithatë, do të nënkuptonte që një pjesë e madhe e filmit duhej të xhirohej nga e para. Siç kujtonte më vonë, iu desh të luftonte “me thonj e me dhëmbë” për të bindur autoritetet që ta lejonin Reed-in të qëndronte deri në fund të xhirimeve.
Kjo nuk ishte hera e vetme që aktori britanik u gjend në qendër të vëmendjes. Kolegët e tij e kujtonin duke nxitur sherr, duke marrë pjesë në gara të improvizuara mundjeje krahu (bras-de-fer) dhe duke krijuar vazhdimisht trazira. Aktori Mark Sinden kishte treguar se imazhi i parë që pa kur mbërriti në hotelin Al-Mansour Melia ishte Reed duke u varur mbrapsht nga dritarja e katit të pestë, i mbajtur vetëm nga kyçet e këmbëve prej truprojës së tij personale, një ish-pjesëtar i forcave speciale franceze. Reed, në vend që të panikohej, qeshte pa pushim. “Kurrë nuk morëm vesh se çfarë i kishte thënë”, komentonte më vonë Sinden, ndërsa aktorja tjetër Virginia Denham e përshkruante atë si një “armë të shkatërrimit në masë”.
Filmi që humbi para se ta shihte pothuajse askush
Vetë Mark Sinden përjetoi një aventurë tjetër. Pak para se të nisej për në Irak, ai u vizitua nga dy burra që deklaruan se ishin nga Ministria e Jashtme britanike dhe i kërkuan të fotografonte çdo gjë që mund të kishte interes ushtarak, si ndërtesa qeveritare, antena komunikimi dhe pallate. Këto fotografi e çuan pak më vonë në një qendër marrje në pyetje, pasi shërbimet e sigurisë së Irakut kishin monitoruar lëvizjet e tij.
Sinden arriti përfundimisht t’i bindte hetuesit se ndodhej në vend ekskluzivisht për xhirimet, duke përmendur se merrte pjesë në një produksion të financuar nga vetë qeveria irakiane. Ai u la i lirë dhe u largua nga Iraku të nesërmen, duke mbajtur ende veshur uniformën ushtarake të filmit, me helmetë tropikale dhe pistoletë.
Pas përfundimit të xhirimeve, Jorephani u kthye në Londër për montazhin. Clash of Loyalties pati premierën në Festivalin e Filmit në Moskë në korrik të vitit 1983, ku mori edhe një çmim, por rrugëtimi i tij doli i shkurtër. U shfaq vetëm në pak festivale të tjera para se të tërhiqej pothuajse tërësisht.
Pushtimi i Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990 dhe sanksionet ndërkombëtare që pasuan i dhanë fund përfundimisht planeve për produksione të reja ndërkombëtare. Clash of Loyalties mbeti përpjekja e vetme e madhe kinematografike e një plani ambicioz që nuk u përfundua kurrë.
Kopjet e filmit përfunduan të ruajtura në kuti metalike, në garazhin e Latif Jorephanit në Surrey të Anglisë. “Nëse gjërat do të kishin shkuar ashtu siç shpresonim, ndoshta do të kishim xhiruar edhe gjashtë ose shtatë filma të tjerë të kësaj madhësie”, kishte deklaruar ai.
Duke parë pas, megjithatë, producenti i jepte një dimension tjetër përvojës:
“Pas më shumë se tridhjetë vitesh luftëra, bombardime, shkatërrime, vrasje dhe konflikte fetare, çfarë është në fund të fundit një film?” kishte thënë ai për BBC në vitin 2020. “Përballë të gjithë këtyre, ai nuk është asgjë”.
Pothuajse gjysmë shekulli pas premierës së tij, Clash of Loyalties i presidentit irakian mbetet një superproduksion pothuajse i harruar. Jo sepse i mungonte ambicia apo përmasa, bur sepse historia që zhvillohej jashtë sheshit të xhirimit doli të ishte shumë më dramatike sesa ajo që përpiqej të rrëfente vetë filmi.
*Artikulli bazohet në intervista dhe materiale arkivore të BBC-së, si dhe në deklarata të hershme të kineastëve dhe pjesëmarrësve të filmit./ad
