Një fitore është shënuar për Angelina Jolie në betejën e saj ligjore me ish-bashkëshortin, Brad Pitt, lidhur me kantinën e tyre të verës.
Sipas një vendimi të gjykatës në Los Angeles, aktorja 50-vjeçare nuk është e detyruar të dorëzojë 22 email-e që lidhen me çështjen në anën e Pitt.
Vendimi përmbysi një urdhër të mëparshëm të dhjetorit 2025, me gjykatën që vendosi se dokumentet në fjalë përmbajnë strategji ligjore dhe, për rrjedhojë, janë të mbrojtura.
Avokati i Jolie, Paul Murphy, e cilësoi këtë zhvillim si “fitore të rëndësishme”, duke pretenduar se Pitt u përpoq të siguronte akses në materiale të privilegjuara që nuk duhej të dorëzoheshin.
Nga ana tjetër, persona nga rrethi i afërt i Brad Pitt kanë deklaruar se bëhet fjalë për një zhvillim të përkohshëm, që thjesht shtyn zbulimin e elementeve kyçe të çështjes.
Megjithatë, gjykata nuk i dha plotësisht të drejtë Jolie, pasi refuzoi kërkesën e saj për të vendosur sanksione prej 34 mijë dollarësh ndaj avokatëve të aktorit.
Mosmarrëveshja për Château Miraval, siç quhet kantina me vlerë rreth 184 milionë dollarë, vazhdon prej dhjetë vitesh, me të dyja palët që nuk bien dakord si për shitjen e një pjese të pronës, ashtu edhe për administrimin e saj pas ndarjes.
Paralelisht, ka edhe një mosmarrëveshje të re lidhur me kohën e fillimit të gjyqit, ku Jolie propozon vjeshtën e vitit 2027, ndërsa Pitt kërkon një gjykim më të hershëm.
Ish-çifti, që u njoh gjatë xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith”, u nda në vitin 2016 dhe finalizoi divorcin në vitin 2024./mxh
