Kuzhina italiane është përfshirë nga UNESCO në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, duke u njohur zyrtarisht si një thesar kulturor. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni përshëndeti vendimin, duke e vlerësuar atë si një njohje të identitetit të vendit dhe ndikimit të tij global.
Meloni u shpreh se UNESCO e ka njohur kuzhinën italiane si një trashëgimi të njerëzimit dhe se Italia është vendi i parë në botë që merr një vlerësim të tillë. Ajo theksoi se kjo nderon identitetin e italianëve, pasi për ta kuzhina nuk përfaqëson vetëm ushqim apo një koleksion recetash, por kulturë, traditë, punë dhe pasuri.
Ajo e konsideroi këtë vendim edhe si një nxitje për zhvillimin ekonomik të vendit. Statusi i ri shënon përfundimin me sukses të një fushate trevjeçare nga Ministria e Bujqësisë së Italisë, e cila synonte njohjen e mënyrës tradicionale të kultivimit, korrjes, përgatitjes dhe servirjes së ushqimit italian.
Meloni shtoi se kjo njohje do t’i japë sistemit ushqimor italian një shtysë vendimtare drejt arritjes së objektivave të rinj dhe theksoi se qeveria ka besuar në këtë sfidë që nga fillimi, duke kontribuar për arritjen e rezultatit.
Ky vendim vjen në një kohë kur Italia vazhdon të luftojë kundër ushqimit “të rremë” italian, përfshirë prodhimin e vajit të ullirit të falsifikuar dhe përdorimin e emrave që tingëllojnë italisht për produkte që nuk janë prodhuar në Itali. Njohja nga UNESCO pritet të ndihmojë në mbrojtjen e kuzhinës italiane nga këto abuzime kulinare./mxh
