Mjeku fitues i Çmimit Nobel për Paqen, Denis Mukwege paralajmëroi se epidemia e re e Ebolës, e cila po përhapet me shpejtësi në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë, mund të shndërrohet në më vdekjeprurësen të regjistruar ndonjëherë.
Mukwege u bëri thirrje gjithashtu të gjitha palëve në konflikt në rajon të pranojnë një armëpushim të menjëhershëm për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Në një artikull të botuar në gazetën franceze Le Monde, Mukwege theksoi se epidemia aktuale nuk është thjesht një krizë shëndetësore, por një emergjencë që ishte e parashikueshme për shkak të dhunës së vazhdueshme, neglizhencës dhe dështimeve politike në rajon.
Sipas tij, kjo është epidemia e 17-të e Ebolës që godet Republikën Demokratike të Kongos, vetëm pesë muaj pas përfundimit të shpërthimit të mëparshëm.
Mukwege shpjegoi se varianti i rrallë i virusit, i njohur si Bundibugyo ebolavirus infection, ka qarkulluar pa u zbuluar për të paktën gjashtë javë. Ai fajësoi shkurtimet në ndihmën ndërkombëtare, të cilat sipas tij detyruan laboratorët të testonin kryesisht për variantin më të zakonshëm të Ebolës, atë të Zaires.
“Nëse nuk merren masa urgjente, kjo epidemi mund të bëhet më vdekjeprurësja që është regjistruar ndonjëherë”, paralajmëroi ai.
Mjeku nobelist theksoi se lindja e Kongos nuk është një mjedis neutral ku virusi thjesht është shfaqur. Sipas tij, dekada ndërhyrjesh të huaja dhe konfliktesh mes grupeve të armatosura kanë krijuar mosbesim të thellë te popullsia dhe kanë nxitur përhapjen e dezinformimit.
Ai shtoi se shumë qendra shëndetësore janë shkatërruar, njësitë e izolimit janë djegur, ndërsa punonjësit e shëndetësisë janë kërcënuar, sulmuar dhe madje vrarë gjatë kryerjes së detyrës.
Mukwege kritikoi gjithashtu uljen e ndjeshme të ndihmës amerikane për Kongon. Sipas tij, ndihma e USAID për vendin ka rënë me rreth 68%, nga mbi 1.41 miliardë dollarë në vitin 2024 në vetëm 451 milionë dollarë në vitin 2025.
Ai tha se kapacitetet lokale epidemiologjike, rrjetet laboratorike dhe zinxhirët e furnizimit, të ndërtuara ndër vite me mbështetjen e USAID-it dhe të Bashkimit Evropian, janë dobësuar rëndë ose janë çmontuar.
Në përfundim, Mukwege u bëri thirrje qeverive, donatorëve ndërkombëtarë, agjencive të Kombeve të Bashkuara (OKB), organizatave humanitare, si dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Africa CDC, që të mobilizohen menjëherë për të përballuar krizën. Ai nënvizoi se punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të mbështeten dhe të mbrohen në mënyrë efektive për të shmangur një katastrofë humanitare edhe më të madhe./mxh
