Studentë dhe mbështetës të lëvizjes që doli fituese në zgjedhjet e fundit në Serbi kanë hyrë në ambientet e mediumit proqeveritar “Informer” në Beograd. Gjatë përplasjeve verbale me stafin, disa prej pjesëmarrësve i etiketuan gazetarët si “shqiptarë”, duke e përdorur termin në mënyrë denigruese dhe politike.
Ndërsa zhvillimet në Serbi mund të ngjallin reagime në klasën politike shqiptare, Emiljano Aleksi sjell një tjetër këndvështrim, duke bërë thirrje që situata të shihet përtej emocioneve dhe interpretimeve gjeopolitike.
Sipas tij, fitorja e një force politike ndaj një tjetre në Serbi nuk përbën domosdoshmërisht një ndryshim në qëndrimet e Beogradit ndaj Kosovës dhe rajonit. Aleksi ngre gjithashtu shqetësimin se lëvizja mund të largohet nga rezistenca qytetare dhe të rrëshqasë drejt stigmatizimit të kundërshtarëve politikë, në vend të ndërtimit të një kulture demokratike.
Emiljano Aleksi:
Sot, studentë dhe mbështetës të lëvizjes që doli fituese në zgjedhjet e fundit në Serbi hynë në ambientet e mediumit proqeveritar “Informer” në Beograd. Sipas raportimeve dhe pamjeve të publikuara, pati përplasje verbale me stafin e mediumit, ndërsa disa prej pjesëmarrësve i etiketuan gazetarët si “shqiptarë”, duke e përdorur termin në mënyrë denigruese dhe politike.
Nga perspektiva e një shqiptari, zhvillimet e fundit në Serbi duhen parë me qetësi dhe pa e ekzagjeruar domethënien e tyre gjeopolitike. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një garë politike ku disa serbë kanë fituar ndaj disa serbëve të tjerë. Deri tani nuk ka asnjë tregues se kjo lëvizje ka sjellë një rishikim substancial të qëndrimeve ndaj Kosovës, ndaj rajonit apo ndaj orientimit tradicional të politikës së jashtme serbe.
Hyrja e studentëve në redaksinë e një mediumi, pavarësisht profilit politik të tij, dhe përdorimi i etiketimeve nacionaliste ndaj gazetarëve tregon se lëvizja po hyn në një fazë të re. Kjo është faza ku lëvizjet shpesh dalin nga shinat institucionale dhe fillojnë të funksionojnë me logjikën e revolucionit permanent, jo të ndërtimit institucional.
Nëse këto tendenca vazhdojnë, ekziston rreziku që lëvizja të kalojë nga një model demokratik i rezistencës qytetare në një klimë të “gjuetisë së shtrigave”, ku secili që perceptohet si afër regjimit të vjetër stigmatizohet si armik dhe jo si kundërshtar politik. Historia politike tregon se shumë lëvizje kanë dështuar pikërisht në këtë pikë,fituan betejën kundër regjimit, por humbën betejën për ndërtimin e një kulture demokratike.