Vera e vitit 2025 la pas një faturë të rëndë për mjedisin në Shqipëri. Sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), zjarret e rëna gjatë periudhës janar–tetor dogjën rreth 49 mijë hektarë pyje dhe kullota, duke shkaktuar një dëm ekonomik të përllogaritur në afro 77 milionë euro.
Gjatë këtij viti u regjistruan 346 vatra zjarresh, të cilat prekën jo vetëm fondin pyjor dhe kullosor, por edhe zona të mbrojtura natyrore. Nga këto, 282 raste ndodhën në pyje të menaxhuara nga bashkitë, ndërsa 64 raste në fondin pyjor shtetëror dhe zonat e mbrojtura.
Sipas të dhënave të AKM-së, flakët përshkuan një sipërfaqe prej 33,524 hektarësh, ndërsa 16,180 hektarë u dogjën plotësisht. Për pasojë u shkatërruan rreth 128,598 metra kub lëndë drusore, nga të cilat vetëm një pjesë prej 25,634 metra kub rezultoi e përdorshme pas zjarreve.
Vlora mban mbi gjysmën e dëmit
Edhe pse qarku i Shkodrës regjistroi numrin më të lartë të vatrave të zjarrit me 37 raste, dëmet më të mëdha ekonomike u regjistruan në Vlorë.
Vetëm në këtë qark, dëmi llogaritet në rreth 41 milionë euro, ose gati 53% e totalit kombëtar. Sipas raportit, në Vlorë u dogjën plotësisht rreth 10.2 mijë hektarë, ku ndikimin më të madh e patën zjarret e mëdha të gushtit të vitit të kaluar.
Pas Vlorës renditet Gjirokastra, me afro 2 mijë hektarë të shkrumbuara, ndërsa Elbasani shënoi humbjen më të madhe të fondit drusor.
Thatësira dhe aktiviteti njerëzor, faktorët kryesorë
Raporti i AKM-së evidenton se dy faktorët kryesorë që ndikojnë në përhapjen e zjarreve janë aktiviteti njerëzor dhe kushtet klimatike ekstreme.
“Shkaqet kryesore të zjarreve në fondin pyjor dhe kullosor janë aktiviteti njerëzor dhe kushtet klimatike ekstreme. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut dhe përhapjen e flakëve në sipërfaqe të gjera natyrore”, thuhet në raport.
Ndër aktivitetet më të rrezikshme përmenden djegia e mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, ndezja e zjarreve për hapjen e kullotave të reja dhe hedhja e cigareve në natyrë.
Gjatë vitit 2025 u regjistruan 23 zjarre të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, ku 3 prej tyre rezultuan të qëllimshme. Ndërkohë, pjesa më e madhe e rasteve, rreth 150 vatra, mbeten me shkak të panjohur, ku përfshihen edhe incidente aksidentale nga linjat elektrike apo shkëndijat e mjeteve në terrene të thata.
Pavarësisht situatës së rënduar të vitit të kaluar, deri tani 2026-a rezulton një vit më i qetë sa i përket zjarreve, pa vatra të mëdha që të kenë shkaktuar dëme të konsiderueshme./ad
