Në një kohë kur shumë njerëz përballen me vështirësi financiare, mënyra se si flitet për paratë mund të ndikojë edhe në mënyrën se si perceptohet marrëdhënia me to. Sipas ekspertes së manifestimit Demi Millbank, disa shprehje që duken krejt të zakonshme mund të përforcojnë një mendësi të mungesës dhe të vështirësisë.
Millbank, e cila ka studiuar mendjen e nënndërgjegjeshme, neuroplasticitetin dhe sistemin nervor, thotë se ka dy fraza që shmang. Sipas saj, ndryshimi i mënyrës së të shprehurit mund të ndihmojë në krijimin e një qasjeje më të bollshme ndaj parave.
1. “Unë fitoj para” ose “Kaq para fitova”
Edhe pse mund të duket si një shprehje krejt normale, Millbank argumenton se ajo mund të krijojë bindjen se paratë duhet të fitohen vetëm përmes përpjekjes, lodhjes dhe sakrificës.
Sipas saj, kjo mënyrë të shprehuri mund ta forcojë idenë se për të marrë më shumë, duhet gjithmonë të japësh më shumë, duke të të mbajtur në një cikël përpjekjesh të vazhdueshme për të provuar vlerën tënde.
Në vend të kësaj, ajo sugjeron një formulim që e vendos theksin te pranimi dhe mundësia për të marrë: “I lejoj vetes të marr këtë shumë parash përmes punës sime” ose “I lejoj vetes ta marr këtë shumë parash”.
Sipas Millbank, ky ndryshim në gjuhë mund t’i japë mendjes së nënndërgjegjeshme një ndjesi më të madhe sigurie dhe ta ndryshojë mënyrën se si perceptohet marrëdhënia me paratë.
2. “Do ta besoj kur ta shoh”
Kjo shprehje përdoret shpesh për të treguar skepticizëm, por Millbank beson se mund të krijojë një tjetër pengesë mendore.
“Nënndërgjegjja ndërtohet mbi atë që është e njohur dhe e sigurt, jo mbi logjikën”, shpjegon ajo. Sipas saj, kur dikush vazhdimisht pret prova përpara se të besojë se diçka është e mundur, mund të krijojë bindjen se ajo gjë nuk është ende e sigurt për të.
Në vend të kësaj, ajo sugjeron shprehjen: “E besoj dhe prandaj e shoh”. Ideja është që besimi të paraprijë rezultatin, në vend që rezultati të jetë kusht për të besuar.
Ekspertja tjetër e manifestimit, Alleah Friedrichs, sugjeron gjithashtu disa shprehje që lidhen me një qasje më të bollshme ndaj parave, si: “Jam gati të marr më shumë” dhe “Jam gati t’i bëj gjërat ndryshe”.
Millbank shton se sistemi nervor përpiqet vazhdimisht të ruajë ndjesinë e sigurisë. Sipas saj, ideja është të krijohet bindja se është e sigurt të marrësh atë që dëshiron, të realizosh synimet dhe të mos e konsiderosh vështirësinë financiare si një domosdoshmëri.
Këto janë këshilla të bazuara në qasjen e manifestimit dhe në interpretimin personal të ekspertes; ndryshimi i mënyrës së të shprehurit nuk është, në vetvete, garanci për përmirësim financiar./k.m
