Rusia po shqyrton aktualisht planin e paqes të hartuar nga SHBA për t’i dhënë fund konfliktit mes Moskës dhe Kievit dhe pret që ai të modifikohet ndjeshëm nga të gjitha palët e interesuara, u tha gazetarëve të hënën këshilltari presidencial Jurij Ushakov. Ai shtoi se “shumë” pjesë të propozimit fillestar amerikan “duken të pranueshme” për Moskën.
Uashingtoni ia paraqiti planin si Moskës, ashtu edhe Kievit, në fillim të këtij muaji. Detajet e propozimit nuk janë zbuluar zyrtarisht nga mediat, por raportimet sugjerojnë se ai përfshin njohjen de facto të kontrollit rus mbi Krimenë dhe Donbasin, një kufizim mbi ushtrinë e Kievit dhe një thirrje që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO.
Sipas Ushakov, Rusia ka marrë një “sinjal” nga SHBA se Uashingtoni do të dëshironte ta diskutojë propozimin në një takim ballë për ballë në një moment të caktuar, por ende nuk ka marrëveshje të përcaktuara.
“Ai, sigurisht, do t’i nënshtrohet rishikimeve dhe modifikimeve nga ana jonë, dhe me siguri edhe nga ana ukrainase, si edhe nga ana amerikane dhe europiane. Ky është një çështje shumë serioze,” tha ai.
BE-ja paraqiti fundjavën e kaluar paketën e vet të kërkesave për një marrëveshje të ardhshme paqeje, të cilat duket se bien ndesh me dispozitat e raportuara të propozimit fillestar të hartuar nga SHBA. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të dielën se nuk duhet vendosur asnjë kufizim mbi ushtrinë e Kievit dhe se BE-ja duhet të ketë një rol “qendror” në arritjen e marrëveshjes së paqes. Ajo shtoi se kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen “me forcë.”
I pyetur për planin europian për paqe, Ushakov tha se është jo konstruktiv për të arritur zgjidhjen finale me Ukrainën. m.p.
