Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia e Arabisë Saudite të tkurret me 3,3 për qind gjatë këtij viti, për shkak të ndikimit të luftës në Lindjen e Mesme, bllokimit të Ngushticës së Hormuzit dhe sulmeve të rebelëve Houthi nga Jemeni.
Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, po përballet me vështirësi të shtuara ekonomike dhe të sigurisë.
Sipas raportit të fundit të FMN-së, ekonomia e vendit pritet të ndikohet ndjeshëm nga ndërprerjet e transportit detar dhe kufizimet në eksportin e hidrokarbureve.
Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik për transportin e naftës dhe gazit, është përfshirë në konflikt që nga shkurti, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli sulmuan Iranin.
Teherani ka kërkuar të ushtrojë kontroll mbi kalimin e anijeve, ndërsa Uashingtoni ka vendosur masa bllokuese ndaj porteve iraniane.
Situata është përkeqësuar edhe nga rifillimi, në korrik, i luftimeve në Jemen.
Rebelët Houthi kanë goditur objektiva saudite, përfshirë instalime nafte, cisterna në Detin e Kuq dhe qendra transporti.
Sulmet kanë prekur edhe aeroportin ndërkombëtar të Riadit, ndërsa shpërthime u raportuan sërish dje në mbrëmje. Sipas autoriteteve saudite, një raketë e lëshuar nga Houthit u interceptua.
Sulmi i së shtunës, ku humbën jetën 13 persona, ishte më vdekjeprurësi në Arabinë Saudite në më shumë se një dekadë.
Pas ngjarjes, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrtonte mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në sulmet saudite kundër Houthive.
Nga ana tjetër, rebelët paralajmëruan se çdo ndërhyrje amerikane do të sillte sulme ndaj interesave të Uashingtonit në rajon.
FMN-ja parashikon se ekonomia e Lindjes së Mesme do të tkurret me 0,3 për qind këtë vit, një ndryshim i ndjeshëm nga parashikimi i mëparshëm për rritje prej 1,9 për qind.
Megjithatë, institucioni pret një rimëkëmbje në vitin 2027, nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet dhe transporti detar normalizohet.
Arabia Saudite ka arritur të kufizojë pjesërisht ndikimin e krizës falë rrugëve alternative të eksportit.
Vendi përdor një naftësjellës që lidh lindjen e tij me bregdetin e Detit të Kuq, duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, ky avantazh është vënë në pikëpyetje pasi naftësjellësi u mbyll përkohësisht në shtator, pas sulmeve që iu atribuuan grupeve të mbështetura nga Irani në Irak./mxh
