Last Updated on 31/05/2026 by Kesjana
Trajneri Luis Enrique ka ndërtuar një model të ri suksesi te Paris Saint-Germain, duke lënë pas epokën e yjeve si Mbappé, Messi dhe Neymar. Sipas medias spanjolle AS, suksesi i PSG-së nuk bazohet më te emrat e mëdhenj, por te një skuadër e ekuilibruar, e ndërtuar me investime të mëdha dhe një filozofi të qartë loje.
Pas largimit të Kylian Mbappé, Luis Enrique mori kontroll të plotë mbi projektin sportiv dhe afroi lojtarë si João Neves, Désiré Doué, Willian Pacho dhe Khvicha Kvaratskhelia. Në tre vitet e fundit, klubi ka investuar rreth 820 milionë euro në merkato, ndërsa ka arkëtuar 419 milionë euro nga shitjet e lojtarëve.
Megjithatë, ndryshimi kryesor nuk ka qenë vetëm financiar. Trajneri spanjoll ka vendosur disiplinë të rreptë dhe punë kolektive, duke rikthyer në formën më të mirë futbollistë si Ousmane Dembélé, Vitinha, Achraf Hakimi dhe Fabián Ruiz. Modeli i ri i PSG-së bazohet te presioni, intensiteti dhe loja si ekip, jo te varësia nga një superyll i vetëm.
Rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme. PSG ka fituar dy trofe radhazi të UEFA Champions League dhe është shndërruar në një nga skuadrat më dominuese në Evropë, me Luis Enriquen që konsiderohet arkitekti kryesor i kësaj epoke të artë. /kb
