Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi të premten në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se rendi aktual botëror po pëson ndryshime, por këto zhvillime nuk përbëjnë një shkëputje të plotë nga sistemi ekzistues.
Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili kishte folur për një “shkëputje” të rendit global, Lagarde theksoi se nuk ndan të njëjtin qëndrim. Ajo nënvizoi se politikëbërësit duhet të përgatiten për alternativa dhe plane rezervë, por pa e përshkruar situatën si një thyerje radikale.
“Ne duhet të flasim për alternativa dhe jo për një shkëputje,” u shpreh Lagarde, duke shtuar se ndryshimet aktuale kërkojnë përshtatje dhe fleksibilitet nga institucionet dhe shtetet.
Në fjalimin e tij të posaçëm në Davos, Mark Carney deklaroi se Kanadaja synon të ndërtojë aleanca të reja me vende me mendësi të përbashkët, në një periudhë marrëdhëniesh të ndërlikuara me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
Carney argumentoi se bota ndodhet në mes të një shkëputjeje dhe jo thjesht një tranzicioni, duke theksuar se fuqitë e mëdha po përdorin integrimin ekonomik si mjet presioni dhe tarifat si armë politike, pa përmendur drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara./mxh
