Last Updated on 10/12/2025 by EL
Nga Monada Mehmetaj, Strasburg
Ministrat e Këshillit të Evropës u mblodhën sot në Strasburg për të diskutuar sfidat e migrimit në raport me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke riafirmuar angazhimin e tyre të palëkundur ndaj mbrojtjes së të drejtave themelore në Evropë.
Konferenca, e thirrur me iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm Alain Berset, vuri në fokus migrimin e parregullt, kontrabandën e migrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe ndikimin e këtyre fenomeneve në sigurinë dhe stabilitetin e shteteve anëtare. Ministrat theksuan se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbetet garantuesi përfundimtar i lirive dhe të drejtave individuale në kontinent.
Duke folur në konferencë, Sekretari i Përgjithshëm Alain Berset nënvizoi se sfidat aktuale kërkojnë dialog, bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkëta, duke theksuar se lufta kundër kriminalitetit të lidhur me migrimin duhet të zhvillohet në respekt të plotë të të drejtave të njeriut.
Në përfundim të takimit, ministrat ftuan Komitetin e Ministrave të hartojë një deklaratë politike mbi migrimin dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila do të riafirmojë detyrimin e shteteve për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjithë personave brenda juridiksionit të tyre, duke marrë parasysh njëkohësisht nevojën për mbrojtjen e interesave jetësore kombëtare, si siguria dhe rendi publik.
Deklarata pritet të miratohet në maj 2026, gjatë seancës zyrtare të Komitetit të Ministrave në Kishinau, në Republikën e Moldavisë. Paralelisht, ministrat shprehën mbështetjen për hartimin e një rekomandimi të ri për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës së migrantëve, në përputhje të plotë me standardet e të drejtave të njeriut.

Në fund, Sekretarit të Përgjithshëm iu kërkua të nisë diskutime më të gjera ndërkombëtare mbi çështjet e migrimit, në vazhdën e angazhimeve të marra në Deklaratën e Rejkjavikut të majit 2023, me synimin për të orientuar punën e ardhshme të Këshillit të Evropës në këtë fushë./E.T
