Franca e ka dënuar operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara që çoi në kapjen e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, gjatë një deklarate për mediat në Bruksel të shtunën, më 3 janar.
Sipas Barrot, ndërhyrja amerikane shkel parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme politike në Venezuelë. “Askush nuk mund të imponojë nga jashtë një zgjidhje të qëndrueshme politike. Vetëm popujt sovran vendosin për të ardhmen e tyre,” tha ministri francez.
Ai shtoi se Nicolas Maduro, duke i mohuar qytetarëve venezuelianë liritë e tyre themelore, ka cenuar dinjitetin e tyre dhe të drejtën për vetëvendosje. Franca ka punuar gjithmonë për të garantuar respektimin e sovranitetit të Venezuelës, përmes përpjekjeve të ndërmjetësimit dhe diplomacisë.
Operacioni amerikan u zhvillua gjatë natës të shtunën, sipas presidentit Donald Trump, dhe konsiderohet ndër ndërhyrjet më të drejtpërdrejta të SHBA në Amerikën Latine që nga invazioni i Panamasë në vitin 1989.
Zhvillimet e fundit pritet të krijojnë tensione të reja diplomatike në rajon dhe të nxjerrin në pah ndarjen e fortë politike mes vendeve të fuqishme ndërkombëtare./mxh
