Franca dhe Spanja po përballen me një situatë dramatike për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë zona të gjera të të dy vendeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit pritet ta vështirësojë edhe më tej luftën me flakët. Zjarre të mëdha janë raportuar gjithashtu edhe në Itali dhe Skoci.
Deri tani, më shumë se 320 mijë banorë dhe turistë janë detyruar të evakuohen, ndërsa janë shkrumbuar mbi 150 mijë hektarë, ose rreth 1.5 milionë dynymë sipërfaqe pyjore dhe bujqësore.
Macron mbledh qeverinë, flakët kërcënojnë Bordonë
Në Francë, presidenti Emmanuel Macron ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Ministrave, pasi zjarret po afrohen rrezikshëm drejt qytetit të Bordosë, në jugperëndim të vendit.
Flakët kanë shkatërruar gadishullin Cap Ferret, një destinacion i njohur turistik në brigjet e Atlantikut, dhe janë përhapur në zonat përreth Bordosë, ku zjarrfikësit po përpiqen të pengojnë depërtimin e tyre drejt qytetit.
Kryebashkiaku i Bordosë, Thomas Cazenave, deklaroi se zjarri ndodhet rreth 15 kilometra larg hyrjeve të qytetit.
“Po përballemi me një zjarr që ende nuk është vënë nën kontroll dhe po lëviz drejt qytetit”, deklaroi ministri francez i Brendshëm, Laurent Nuñez.
Ai e cilësoi situatën si “plotësisht të pafavorshme” dhe “të paprecedentë”.
Autoritetet lokale po shqyrtojnë edhe skenarin e evakuimit të plotë të Bordosë, ndërsa policia ka zhvilluar kontrolle derë më derë gjatë natës në komunat Marcheprime dhe Cestas për të larguar banorët nga zonat e rrezikuara.
Ndërkohë, parashikimet meteorologjike tregojnë se nga e marta temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, duke shtuar rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Evakuohen hotelet pranë aeroportit të Bordosë
Për shkak të zjarreve, zona e hoteleve pranë aeroportit të Bordosë është evakuuar deri në një njoftim të dytë.
Megjithëse aeroporti vazhdon të funksionojë normalisht, autoritetet kanë bërë të ditur se nuk mund të ofrojnë akomodim gjatë natës dhe u kanë kërkuar udhëtarëve të kërkojnë strehim jashtë zonave të prekura.
Fenomeni i rrallë i “stuhisë së zjarrit”
Zjarri kryesor në rajonin e Girondës ka krijuar një fenomen të rrallë atmosferik të njohur si “pyrocumulonimbus”, ose “stuhi zjarri”, ku vetë flakët gjenerojnë erëra të fuqishme dhe rrufe.
“Është një betejë mes Davidit dhe Goliatit. Nuk mund ta luftojmë zjarrin drejtpërdrejt. Ai mund të vihet nën kontroll vetëm nëse bie shi i rrëmbyeshëm për disa ditë ose nëse arrin vetë drejt detit”, deklaroi zëdhënësi i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës, Eric Brocardi.
Deri tani, në Francë janë djegur rreth 98 mijë hektarë, ndërsa vetëm në jugperëndim të vendit janë evakuuar mbi 220 mijë persona.
Spanja përballet me zjarrin më të madh të historisë moderne
Edhe në Spanjë situata mbetet kritike. Një vatër e re pranë Valencias ka detyruar rreth 15 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ministrja e Tranzicionit Ekologjik, Sara Aagesen, bëri të ditur se deri tani janë djegur rreth 77 mijë hektarë, ndërsa zjarri në provincën Ávila konsiderohet më i madhi në historinë moderne të vendit.
Mbreti Felipe VI, gjatë vizitës në një qendër emergjence pranë Madridit, deklaroi se dëmet në trashëgiminë natyrore të Spanjës janë “të pallogaritshme”.
Mbi 90 mijë persona largohen nga shtëpitë
Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se më shumë se 90 mijë persona janë evakuuar nga zonat përreth Madridit dhe Ávilës.
Mes tyre është edhe Olga Congacha, 50 vjeç, e cila u detyrua të largohej me nxitim nga fshati Robledo de Chavela.
“Nuk dija nëse duhej të qaja apo çfarë të bëja. Ishte një moment i tmerrshëm”, tha ajo, duke shtuar se kur u rikthye për të marrë ilaçet, shtëpia e saj ishte mbuluar nga hiri.
Zjarret përhapen edhe në Itali dhe Skoci
Në Itali, disa zjarre kanë shkaktuar mbylljen e përkohshme të një segmenti të unazës së Romës dhe të autostradës që lidh kryeqytetin me jugun e vendit, duke krijuar trafik të rënduar.
Në rajonin e Pulias, turistët u evakuuan nga resortet bregdetare në zonën e Garganos, ndërsa disa prej tyre u transportuan me mjete të rojës bregdetare.
Zjarret kanë ndërprerë përkohësisht edhe qarkullimin hekurudhor në pjesë të Sicilisë dhe përgjatë vijës së Adriatikut.
Ndërkohë, në Skoci, rreth 500 zjarrfikës vijojnë prej 15 korrikut betejën me një zjarr të madh në Parkun Kombëtar Cairngorms. Banorët e fshatit Nethy Bridge, të cilët ishin evakuuar për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, janë lejuar të kthehen në banesat e tyre pasi rreziku është ulur./ad
