Numri i milionerëve në botë vijon të rritet me ritme të shpejta. Sipas raportit më të fundit të UBS, gjatë vitit 2025 pothuajse 1 milion persona iu shtuan listës së milionerëve në dollarë, ose mesatarisht 2.680 milionerë të rinj në ditë, 112 në orë dhe gati dy çdo minutë.
Shtetet e Bashkuara mbeten motori kryesor i kësaj rritjeje, duke shtuar 441.078 milionerë të rinj, gati gjysmën e rritjes globale. Megjithatë, edhe Europa ka shënuar një rritje të konsiderueshme.
Në terma absolutë, Britania e Madhe kryeson kontinentin me mbi 43 mijë milionerë të rinj, ose mesatarisht 118 në ditë. Pas saj renditet Franca, ku u krijuan më shumë se 32 mijë milionerë të rinj, rreth 95 çdo ditë – praktikisht një milioner i ri çdo 15 minuta.
Edhe Spanja regjistroi mbi 32 mijë milionerë të rinj, ose rreth 90 në ditë, ndërsa Italia dhe Gjermania shtuan secila mbi 24 mijë milionerë, me një mesatare prej 67 dhe 66 milionerësh të rinj në ditë.
Europa Lindore, rritja më e shpejtë
Megjithëse ekonomitë më të mëdha europiane kryesojnë për numrin total të milionerëve të rinj, rritja më e shpejtë në përqindje u regjistrua në Europën Lindore.
Lituania kryeson renditjen globale me një rritje prej 8%, duke shtuar 921 milionerë të rinj gjatë vitit 2025. Pas saj vijnë:
• Turqia – 6,4%
• Letonia – 5,7%
• Hungaria – 5,3%
• Irlanda – 5,2%
Ndërkohë, Polonia shënoi një rritje prej 4%, ndërsa Greqia 3,5%.
Mbi 40% e milionerëve jetojnë në SHBA
Raporti tregon se në fund të vitit 2025 në 56 tregjet e analizuara kishte rreth 57,5 milionë milionerë në dollarë. Prej tyre, më shumë se 23,6 milionë, ose mbi 40%, jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Europa Perëndimore numëron afro 15 milionë milionerë, që përfaqësojnë rreth një të katërtën e totalit global.
Ekspertët e UBS theksojnë se numri i milionerëve nuk lidhet vetëm me madhësinë e ekonomisë. Në këtë ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si pronësia mbi banesat, kursimet private për pension, investimet dhe politikat fiskale që favorizojnë krijimin e pasurisë.
Sipas raportit, asnjë nga 56 vendet e analizuara nuk e mbylli vitin 2025 me më pak milionerë sesa kishte në fillim të vitit, duke konfirmuar një rritje të vazhdueshme të pasurisë private në nivel global./FC
