Parlamenti francez përballet këtë të martë me një votim vendimtar për buxhetin e sigurimeve shoqërore të vitit 2026, test ky i rëndësishëm për kryeministrin Sebastien Lecornu. Nëse projekti dështon, rrezikohet edhe miratimi i buxhetit kryesor të shtetit dhe qeveria mund të detyrohet të funksionojë me shpenzimet e vitit 2025.
Lecornu, i emëruar nga Presidenti Emmanuel Macron në shtator, është përballur me një parlament të ndarë në tre blloqe të barabarta, qendër, e majtë dhe e djathtë ekstreme – asnjë prej të cilave nuk ka shumicën. Kryeministri ka bërë lëshime për Partinë Socialiste, duke pezulluar përkohësisht rritjen e moshës së pensionit dhe duke hequr dorë nga përdorimi i fuqisë 49-3 për të detyruar miratimin e buxhetit.
Megjithatë, kjo mund të ketë dobësuar mbështetjen brenda kampit të tij qendër-djathtas. Përballja pritet e ngushtë: partia ekstrem-djathtas dhe e majta radikale kanë paralajmëruar vota kundër, ndërsa Lecornu shpreson të bindë disa deputetë të majtë me premtime për më shumë shpenzime në spitalet publike.
Në rast të dështimit, qeveria mund të përdorë një ligj special për të siguruar funksionimin e shtetit, ndërsa përgjegjësia politike do të rëndojë mbi deputetët. Një humbje nuk pritet të çojë menjëherë në dorëheqjen e kryeministrit, i njohur për stilin e tij të qetë dhe kompromisor./MXH
