Last Updated on 23/11/2026 by EL
Bjorn Runa
Protesta ka arritur tashmë në pikën ku rrëzimi i qeverisë me sa duket nuk është më një dëshirë sa duhet ambicioze dhe ka nisur të kërkojë një vend për veten në kalendarin kombëtar, duke e shpallur nëntorin e 2026, për shkak të protestës së thirrur në datë 28, si “nëntorin e tretë” të shqiptarëve.
Është një togfjalësh që lidhet me filmin e realizmit socialist për pavarësinë e vendit, i cili titullohet “Nëntori i Dytë,” që siç dihet i referohet 28 nëntorit të 1443-it si nëntori i parë. Drejtuesit dhe organziatorët e protestës me sa duket kanë vendosur që sekuenca e nëntorëve historikë duhet të vazhdojë me ta, nga Skënderbeu, te Ismail Qemali, te… Falmingot.
Historia lëviz shpejt kur merr përsipër të jesh njëkohësisht personazh dhe shkrues i saj, teksa ajo është duke ndodhur. Por, ka një problem në aritmetikën e Flamingove. Shqipëria e ka ndërkaq një nëntor të tretë të rëndësishëm dhe ai është nëntori i 1944-ës, kur vendi u çlirua nga pushtimi gjerman. Me gjithë debatin absurd dhe shpesh qesharak që zhvillohet prej 36 vitesh në vend në lidhje me datën e çlirimit, a thua se Vermahti duhet të kishte vulosur pasaportën në kufi para se të largohej, si e majta ashtu edhe djathta tradicionale nuk kanë debatuar ndonjëherë për muajin dhe aq më pak rreth vetë faktit të çlirimit të vendit.
Ndaj, para se Flamingot të mund të kenë nëntorin e tyre të tretë, duhet fillimisht të humbasin një. Se cilin kanë zgjedhur të fshijnë është e qartë. E vetmja gjë që mund të përpiqemi të kuptojmë, për të njohur pak më mirë politikën e tyre, është arsyetimi pas kësaj zgjedhjeje.
Shpjegimi i parë dhe më i thjeshti është padija, çka është plotësisht e mundur nëse kujtojmë sloganet e huazuara nga Nacioanlistët (Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtareve), të gërshetuara me adhurimin për figura të së majtës si Avni Rustemi, të cilin me gjasë e adhurojnë më shumë si atentator sesa për bindjet e tij politike.
Por ka edhe një mundësi tjetër, që është e vështirë të injorohet kur sheh se si ka evoluuar protesta nga qershori në nëntor. Ndërsa e kanë kapërcyer tashmë kauzën fillestare për të hyrë në një territor shumë më të paqartë si ai i “ndryshimit të sistemit,” pa mundur asnjëherë të artikulojnë qartë se për cilin sistem e kanë fjalën, Flamingot kanë lënë një boshllëk në prtestë, që është mbushur gradualisht nga nacionalizmi, një antikomunizëm konspirativ dhe hera-herës edhe nga akte që anojnë dukshëm nga fashizmi. Mjafton të kujtojmë këtu episodin me aktivistët e flotiljes Sumud, apo edhe përçmimin shpesh të shfaqur haptas ndaj kauzave të majta si ambientalizmi.
Natyrisht që këto, të vetme, nuk e bëjnë të gjithë protestën një lëvizje fashiste, por na tregojnë se cila lloj politike është ndierë më në shtëpi se të tjerat në bulevard. Ashtu sikurse e bëjnë zhdukjen e nëntorit 1944 edhe më interesant se sa një gabim në llogaritjen e nëntorëve me rëndësi historike.
Flamingot e dinë më së miri se 1944 ekziston, por janë ndërkohë kaq të bindur për rëndësinë e tyre historike, saqë kanë vendosur të heqin një vijë të drejtë nga Skënderbeu, te Ismail Qemali dhe tek vetja e tyre. Tri akte çlirimi të shtrira në pesë shekuj e gjysmë.
Në momentin që e pranon një premisë të tillë, është e qartë se 1944 duhet fshirë sepse jua prish kompozimin. Ndërsa Skënderbeu dhe Ismail Qemali janë mjaftueshëm të largët në kohë dhe mund të adopotohen lehtësisht nga kushdo pa frikën se mund të akuzohen për ndonjë gjë të gabuar – fjala vjen si komunistë – nëntori i 1944, e prish sekuencën Krujë-Vlorë-Bulevardi Dëshmorët e Kombit. Është më e lehtë ta bashkosh antifashizmin me “komunizmin” dhe ta hedhësh në harresë të gjithë atë periudhë.
Tani mund të shkruajmë sa të duam nëpër mure “Revolucioni Flamingo – Veprim Antifashist,” por nëse “antifashizmi” ynë zgjedh qysh në hapin e vet të parë të kapërcejë pikërisht nëntorin antifashist të vendit, kjo mund të jetë një shpikje e jona à la flamingo e një antifashizmi pa antifashistë, por që në thelb i ngjan më shumë fashizmit.
