Tregjet financiare në Azinë Lindore, shënuan rënie sot, pas humbjeve të mëdha në bursën amerikane javën e kaluar.
Arsyeja kryesore janë shqetësimet e investitorëve nëse paratë e shumta që kompanitë po shpenzojnë për inteligjencën artificiale (IA), do të sjellin fitimet e pritshme në të ardhmen.
Indeksi kryesor i bursës së Koresë së Jugut, KOSPI, ra me 5,3% deri në mesditë.
Për shkak të luhatjeve të forta të çmimeve të aksioneve, tregtimi u ndërpre përkohësisht.
Koreja e Jugut është një nga vendet kryesore në prodhimin e çipave që përdoren për inteligjencën artificiale.
Kompanitë “Samsung Electronics” dhe “SK Hynix” janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të këtyre pajisjeve në botë.
Për këtë arsye, shqetësimet për të ardhmen e këtij sektori, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në bursën e vendit.
Rënie u regjistruan edhe në tregjet e tjera aziatike.
Në Hong Kong, indeksi “Hang Seng” ra me rreth 1,5%, ndërsa në Kinë indeksi “CSI 300” humbi 0,9%.
Bursa japoneze qëndroi e mbyllur për shkak të një feste zyrtare.
Ndërkohë, javën e kaluar, aksionet e kompanive të mëdha teknologjike amerikane, pësuan rënien më të fortë prej disa vitesh.
Investitorët kanë shfaqur dyshime nëse shpenzimet shumë të larta për prodhimin e çipave dhe ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, të nevojshme për funksionimin e inteligjencës artificiale, do të sjellin fitime të mjaftueshme për kompanitë në të ardhmen./mxh
