Franca dhe bota e artit janë në zi pas ndarjes nga jeta të aktores legjendare franceze Brigitte Bardot, e cila u shua në moshën 91-vjeçare. Lajmi u konfirmua të dielën nga fondacioni i saj, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.
Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi menjëherë me një mesazh në rrjetin social “X”, ku e cilësoi Bardot si një “legjendë të shekullit”.
“Filmat e saj, zëri i saj, fama e saj verbuese, inicialet e saj, dhimbjet e saj, pasioni bujar për kafshët, fytyra që u bë Marianne – Brigitte Bardot mishëroi një jetë lirie. Një ekzistencë franceze, një rrezatim universal. Na preku të gjithëve. Ne vajtojmë një legjendë të shekullit,” shkroi Macron.
Brigitte Bardot u bë ikonë ndërkombëtare në moshë shumë të re, pas rolit të saj në filmin “And God Created Woman”, ku vallëzimi i saj zbathur dhe energjia e lirë tronditën kinemanë e kohës dhe thyen tabu të forta morale.
Vetëm 21 vjeçe, ajo skandalizoi censurën dhe magjepsi publikun me interpretimin e saj të guximshëm në filmin e vitit 1956, të realizuar nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, regjisori Roger Vadim. Roli shënoi një kthesë të madhe nga imazhi tradicional i heroinave të përmbajtura të asaj periudhe./mxh
