Last Updated on 03/11/2026 by Monika
Franca do të nisë një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin mbi fertilitetin, duke synuar veçanërisht gratë dhe burrat 29-vjeçarë. Në fund të nëntorit, të gjithë personat e kësaj moshe do të marrin një letër informuese nga sistemi kombëtar i sigurimeve shëndetësore, ku do të shpjegohen faktorët që ndikojnë në aftësinë për të pasur fëmijë dhe mënyrat për ta ruajtur atë.
Nisma është pjesë e planit qeveritar kundër infertilitetit, të prezantuar në shkurt nga ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist. Vendimi u bë publik të martën, më 3 nëntor, pas dorëzimit të raportit të komitetit monitorues të këtij plani.
Letra do t’u rekomandojë personave që dëshirojnë të bëhen prindër të kryejnë një konsultë paraprake me mjekun, për të vlerësuar gjendjen shëndetësore, stilin e jetesës dhe faktorët që mund të ndikojnë në një shtatzëni të ardhshme.
Për çiftet që po përpiqen të kenë fëmijë pa sukses, rekomandohet konsultimi me specialistët pas një viti përpjekjesh për gratë nën 35 vjeç dhe pas gjashtë muajsh për ato mbi 35 vjeç.
Përveç moshës, fertiliteti ndikohet edhe nga faktorë të tjerë mjekësorë, mjedisorë dhe të stilit të jetesës, përfshirë ushqyerjen, gjumin, aktivitetin fizik, duhanin dhe konsumin e alkoolit.
Në kuadër të kësaj nisme, qeveria po vë në funksion edhe portalin informues “Ma fertilité”, në faqen Santé.fr, ku do të publikohen materiale këshilluese, mesazhe audio dhe postera informues në ambientet e pritjes së pacientëve në qendrat shëndetësore.
Rritja e mundësive për ruajtjen e vezëve dhe spermës
Një tjetër objektiv i planit është zgjerimi i numrit të qendrave që ofrojnë mundësinë e ruajtjes së qelizave riprodhuese për arsye jo mjekësore, me qëllim mundësinë e prindërimit në të ardhmen.
Në Francë, gratë mund të ruajnë vezët e tyre në moshën 29 deri në 37 vjeç, për t’i përdorur potencialisht deri në moshën 45-vjeçare. Për burrat, ruajtja e spermës mund të kryhet nga mosha 29 deri në 45 vjeç, me mundësi përdorimi deri në moshën 59-vjeçare.
Interesi për këtë procedurë është rritur ndjeshëm. Vetëm vitin e kaluar, më shumë se 20 mijë gra kërkuan të ruanin vezët e tyre për një shtatzëni të mundshme në të ardhmen, një rritje prej 30% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, koha e pritjes për këtë shërbim varion nga 14 deri në 24 muaj, në varësi të rajonit.
Ministrja e Shëndetësisë kujtoi se në Francë, 15 deri në 25% e çifteve që dëshirojnë të kenë fëmijë përballen me vështirësi për të konceptuar, duke prekur më shumë se tre milionë persona.
“Fertiliteti është një çështje madhore e shëndetit publik që prek si gratë, ashtu edhe burrat. Shumë shpesh vështirësitë zbulohen vonë, ndërkohë që mund të veprojmë më herët për të informuar, parandaluar dhe ofruar mbështetje”, deklaroi Stéphanie Rist./MXH
