E djathta populiste ofron një zgjidhje në formën e kthimit pas në kohë. Macron dhe homologët e tij duhet të gjejnë një përgjigje tjetër, dhe shpejt.
Simon Tisdall*
Emmanuel Macron tingëllonte si një njeri në zi. Jo i zemëruar, jo sfidues, thjesht pak triste (i trishtuar). Evropa, vajtoi ai, po përjeton një “degjenerim të demokracisë”. Shumë kërcënime, tha presidenti francez, vijnë nga jashtë – nga Rusia, nga Kina, nga kompanitë e fuqishme amerikane të teknologjisë dhe sipërmarrësit e rrjeteve sociale. “Por nuk duhet të jemi naivë. Brenda vetes po kthehemi kundër vetes. Dyshojmë në demokracinë tonë… Shohim gjithandej që diçka po ndodh me strukturën tonë demokratike. Debati demokratik po kthehet në një debat urrejtjeje.”
I shtrënguar mes ekstremeve të ashpra të djathta dhe të majta, Macron e di mirë për çfarë flet. Por “Franca e paqeverisshme” nuk është e vetme në ndarjet e saj të hidhura dhe të pazgjidhshme. Në mbarë Evropën, në Britani dhe SHBA, mosbesimi dhe pakënaqësia po thellojnë përditë mosfunksionimin politik dhe përçarjen shoqërore. Fjalët e Macron vlejnë në fakt për pothuajse çdo vend që përkrah parimet demokratike. Besimi se demokracia është forma më e përshtatshme e qeverisjes për botën moderne po zbehet, veçanërisht mes të rinjve. Ndërkohë, hapësira publike po bëhet gjithnjë e më e vrazhdë dhe e dhunshme. Macron foli në një aktivitet që shënonte 35-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë më 1990 – një moment i madh optimizmi. Por, ashtu si Franca, Gjermania e polarizuar sot përballet me një krizë të mprehtë të besimit politik.
Shihni përreth. Në zgjedhjet e fundjavës së kaluar, Republika Çeke ndoqi Poloninë, Austrinë dhe shtete të tjera të BE-së në një zhvendosje drejt së djathtës populiste të ashpër, e përfshirë nga një valë gjithnjë e më e madhe negativiteti anti-establishment. Mbështetja për demagogë oportunistë që ushqehen me frikë, mllef dhe humbje – pa pasur politika të besueshme për çështje komplekse si migracioni – nuk është përkrahje për demokracinë, por ndotje e saj. Ky nxitim i shëmtuar drejt ekstremeve është një votë mosbesimi ndaj vetë sistemit demokratik, e përkeqësuar nga pjesëmarrja dhe dalja e ulët në zgjedhje e grupeve të margjinalizuara sociale.
Në të gjitha këto vende, mungon një konsensus demokratik kombëtar. Në Britaninë e Madhe në rënie dhe në dëshpërim, ku flamujt kombëtarë mbahen si batanije ngushëlluese, të dy partitë kryesore janë në vështirësi; ndërsa alternativat janë të paqëndrueshme ose thjesht të rrezikshme. Në SHBA, “shtëpia e demokracisë”, opozita efektive ndaj sundimit të Partisë Republikane është thuajse zhdukur, të paktën në nivel kombëtar. Me përpjekjet për të manipuluar ndarjen e zonave zgjedhore, Donald Trump po ngjan gjithnjë e më shumë me një diktator.
Mungesa e zgjedhjes demokratike të vërtetë dhe e mundësive ekonomike, që ushqejnë ndjenjat e përjashtimit dhe revoltës, i përplasin vendet – nga Maroku, Kenia dhe Bangladeshi, që kanë përjetuar trazira së fundmi, deri te Filipinet, Nigeria, Turqia, Indonezia dhe Madagaskari, ku korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin kanë shkaktuar protesta antiqeveritare. Në Nepal, muajin e kaluar, të rinjtë udhëhoqën një “revolucion të brezit Z”. Të gjitha këto vende, në Evropë dhe më gjerë, janë të ndryshme – përveçse në një aspekt thelbësor: në krahasim me regjimet autoritare si Kina dhe Rusia, shoqëritë e tyre mbeten relativisht të hapura dhe të lira, për momentin.
Ky është sfidimi themelor që secila prej tyre përballet: demokracia nuk po funksionon, ose po funksionon aq keq sa rrezikon të hidhet poshtë. SHBA-ja dikur shembullore – tani një paradigmë e humbur – dhe Evropa Perëndimore e përçarë janë në rënie. Edhe njëherë, demokracitë më pak të konsoliduara në jugun global dhe në Evropën qendrore e lindore janë në vijën e parë të një lufte të re të ftohtë për ndikim dhe vlera, përballë boshtit Pekin-Moskë. Si Moldavia dhe Gjeorgjia, për të përmendur dy fusha të fundit beteje, ato mund të shkojnë në çdo drejtim.
Një pikë kthese po afrohet. Në raportin e saj vjetor, Freedom House, organizata amerikane për të drejtat e njeriut, konstatoi se dhuna, manipulimi i votave dhe shtypja njollosën mbi 40% të zgjedhjeve kombëtare të mbajtura në vitin 2024. Liria globale, e matur në terma të lirive politike dhe të drejtave civile, ra për të 19-in vit radhazi. “Konfliktet përhapën paqëndrueshmëri dhe penguan përparimin demokratik në mbarë botën,” përfundoi raporti.
Në SHBA, një sondazh i fundit zbuloi se një rekord prej 64% e amerikanëve besojnë se demokracia e tyre “është shumë e ndarë politikisht për të zgjidhur problemet e vendit”. Në MB, një sondazh për moshat 16-29 vjeç tregoi se 63% mendojnë se demokracia është në telashe. Ndërsa të rinjtë “preferojnë të jetojnë në një demokraci në krahasim me një diktaturë, me raportin 57% me 27%”, vetëm 35% thanë se do të konsideronin të përfshiheshin në politikë të organizuar.
Në Spanjë, ajo që dikur dukej e pamundur është tani e përhapur: të rinjtë po orientohen drejt së djathtës ekstreme.
Nëse është duke ndodhur një lloj revolte globale kundër demokracisë – ose të paktën një humbje e thellë e besimit në sistemet demokratike – do të ishte e dobishme të dinim pse. Çështjet ekonomike afatshkurtra dhe afatgjata – kostoja e jetesës, inflacioni, mungesa e punëve të mira, de-industrializimi, komunitetet e shkatërruara, dështimet institucionale, pabarazia e pasurisë, globalizimi, migracioni masiv i lidhur me krizën klimatike, miti i rrëzuar i rritjes së pafundme – janë të gjitha faktorë. Udhëheqësit e pabesueshëm, që pasqyrojnë standarde morale në rënie, është një tjetër. Ndërhyrjet e fshehta në zgjedhje dhe manipulimi online nga Rusia e të tjerë e përshpejtojnë këtë shkatërrim. Brezat e rinj janë përballë me popullsi të plakura. Dhe ka një ndjenjë të thellë dëshpërimi, si dhe zemërim, për rrëmujën në të cilën ndodhet bota, si mjedisor ashtu edhe gjeopolitikisht.
Për Andreas Reckwitz nga Universiteti Humboldt i Berlinit, i gjithë ky pakënaqësim buron nga një ndjenjë e përgjithshme, e thellë dhe e kudondodhur humbjeje. “Gënjeshtra themelore e modernitetit perëndimor” – besimi pas Epokës së Ndriçimit se përparimi njerëzor është i vazhdueshëm dhe i pashmangshëm, se gjithçka përmirësohet me kalimin e kohës, se jeta bëhet më e mirë – është shkatërruar brutalisht nga përvoja e dekadave të fundit, argumenton Reckwitz. “Humbja është bërë një gjendje përfshirëse e jetës… Pyetja nuk është më nëse humbja mund të shmanget, por nëse shoqëritë që janë mësuar me ‘më mirë’ apo ‘më shumë’ mund të mësojnë të përballojnë ‘më pak’ dhe ‘më keq’.”
Në këtë këndvështrim, refuzimi i strukturave demokratike që po dështojnë dhe ngritja e figurave demagogjike që premtojnë rikthim te “siç ishin dikur gjërat”, bëhen më të kuptueshme. “Nëse politika vazhdon të premtojë përmirësim të pafund, kjo do të ushqejë zhgënjimin dhe do të forcojë populizmat që lulëzojnë mbi pritshmëritë e tradhtuara,” shkruan Reckwitz. “Populizmi kanalizon zemërimin për atë që ka humbur, por ofron vetëm iluzione rikuperimi. Pyetja thelbësore atëherë bëhet: si të përballemi me humbjen?”
Reckwitz ka propozimet e veta, që përfshijnë rezistencën dhe rishpërndarjen. Nëse dikush ka një përgjigje përfundimtare, Macron – që ka shumë për të humbur – me siguri do të donte ta dëgjonte.
*Simon Tisdall është komentator i çështjeve të jashtme për The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
