Last Updated on 25/08/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në thellësitë e natës, kur yjet duken si pika shprese në errësirë, lindin shpeshherë shpirtrat që sfidojnë ligjësitë e botës. Këta njerëz nuk gjejnë qetësi në rrugë të shtruara, por ecin mbi majat e thepisura të mendimit, duke thyer pllakat e vjetra dhe duke ndezur dritën e tyre të brendshme.
…Kështu në një fshat të qetë prusian, – në Rëken, të Saksonisë Anhalt që sot i përket territorit gjerman, – më 15 tetor 1844, lindi një djalë që do të përmbyste botën e ideve. Ishte Fridrih Niçe, një mendimtar që nuk iu përmbajt asnjë kufiri, një poet i shpirtit njerëzor që zhytej në thellësitë e ekzistencës për të gjetur të vërteta që bota nuk guxonte t’i shikonte në sy. Jeta e tij ishte një tragjedi, një udhëtim i vetmuar drejt kulmit të dijes, ku shkëlqimi i mendjes u shoqërua me dhimbjen e thellë të shpirtit të tij.
Fillimi
I biri i një prifti luteran, i destinuar fillimisht të ndjekë rrugën e besimit, ai do të shndërrohej në profetin e madh të epokës së dyshimit. Fëmijë i brishtë, por i përthithur nga librat, ai gjeti strehë në gjuhët e lashta dhe në vargjet e poetëve helenë, sikur antikiteti ta kishte zgjedhur si bir të vetin.
Ende pa mbushur 25 vjeç, Niçe u bë profesor në Bazel, duke fituar respektin e filologëve më të shquar të kohës. Por ky njeri i përkulur mbi dorëshkrime të vjetra nuk ishte i destinuar të mbetej thjesht filolog: ai e ndjente se fjala nuk mund të ishte vetëm analizë, por vizion, poezi, flakë. Një zjarr i brendshëm e shtynte të thyente kufijtë e çdo discipline, duke e kthyer filozofinë në një poezi të mendimit dhe në një klithmë të shpirtit.
Vazhdimi
Në veprat e tij ai shpalli me zë të fortë një lajm që tronditi kulturën perëndimore: “Perëndia ka vdekur.” Nuk ishte triumfi i mosbesimit, por britma e një epoke që kishte humbur qendrën e saj. Ai pa zbrazëtinë që lë pas mungesa e besimit dhe pyeti: kush do ta mbajë mbi shpatulla peshën e universit tani? Përgjigjja e tij ishte po aq e rrezikshme sa edhe madhështore: Njeriu i mbi-tejkalueshëm, qenia që guxon të krijojë vetë vlerat e tij, që nuk përkulet para dogmave, por ecën me hapin e krijuesit.
Por ky profet i kohëve të reja nuk jetoi në shkëlqimin e fjalëve të tij. Shëndeti i dobët, dhimbjet, vetmia dhe shpesh një heshtje e akullt nga bota e librave e ndjekën gjatë gjithë jetës. Në vitin 1889, në rrugët e Torinos, ai u thye përfundimisht. Legjenda thotë se kur pa një kalë të rrihej mizorisht, u hodh mbi qafën e tij duke shpërthyer në lot; dhe menjëherë pas kësaj mendja e tij u thye përgjithmonë. Ishte sikur gjithë dhembshuria dhe tragjizmi i botës u grumbulluan brenda tij në atë çast fatal.
Vitet e fundit i kaloi i shuar, nën kujdesin e nënës dhe më pas të motrës së tij, Elisabetës, e cila do të manipulonte më vonë trashëgiminë e tij për qëllime të tjera. Ai u shua më 25 gusht 1900, në Vajmar, në moshën 55 vjeçare – një burrë që kishte përshkruar madhështinë dhe rënien e njeriut, por që nuk pati fatin të jetonte gëzimin e fjalëve të veta.
Ndikimi
Niçe ishte një mendimtar revolucionar, por edhe një figurë komplekse dhe shpesh e keqkuptuar. Ideja e tij për “Vullnetin për Pushtet” dhe koncepti i “Njeriu i Mbi-tejkalueshëm” u morën nga lëvizjet totalitare, veçanërisht nga Nazizmi, për të justifikuar ideologjitë e tyre të dhunshme dhe raciste. Është e rëndësishme të theksohet se vetë Niçe kundërshtonte ashpër antisemitizmin dhe nacionalizmin prusian, duke u larguar nga motra e tij, Elisabeta, për shkak të lidhjeve të saj me këto rryma. Keqinterpretimet e veprës së tij treguan se mendimi i thellë dhe sfidues mund të bëhet një armë në duart e atyre që kërkojnë të justifikojnë veprimet e tyre.
Epilogu
Sot, Niçe mbetet një nga zërat më të fuqishëm të mendimit modern. Fjalët e tij janë njëkohësisht zjarr dhe hije: frymëzim për poetë, udhërrëfim për filozofë, por edhe burim keqinterpretimesh nga ata që kërkuan në to mbështetje për ideologjitë e tyre. Ai është një figurë e pambaruar, që na thërret ende të përballemi me pyetjen më të vështirë: a kemi forcë të jetojmë jetën tonë sikur çdo çast të përsëritej përjetësisht?
Fridrih Niçe – i vetmuar, i sëmurë, i harruar gjallë – u kthye pas vdekjes në një nga mendimtarët më të ndritur dhe njëherësh më të rrezikshëm të kohëve moderne. Një poet i ideve, një tragjedi e gjallë e mendimit.
