Një anije mallrash është fundosur pasi u përplas me një anije tjetër në brigjet e Stambollit, ndërsa 10 anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur.
Përplasja ndodhi në orën 3 të mëngjesit në Detin Marmara, pak më shumë se 32 kilometra në jug të Silivri-t, një periferi e qytetit më të madh të Turqisë, tha zyra e guvernatorit të Stambollit në një deklaratë.
Një varkë shpëtimi dhe mbeturina të tjera që i përkisnin anijes mallrash Tugberk ?mamoglu janë gjetur, por ende nuk ka asnjë shenjë të ekuipazhit prej 10 personash.
“Vlerësohet se anija Tugberk ?mamoglu u mbyt sepse nuk iu përgjigj asnjë thirrjeje dhe telefonat celularë të personelit në bord mbetën pa përgjigje”, tha Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Detare në një deklaratë.
“Në bord kishte 10 marinarë, përfshirë kapitenin. Të gjithë janë turq. Mund të themi se fundosja ndodhi me shpejtësi, brenda 11 minutash. Askush nuk është gjetur gjallë”, tha Ministri i Transportit Abdulkadir Uraloglu.
Anija 90 metra e gjatë Tugberk ?mamoglu po lundronte nga porti mesdhetar i Iskenderunit në Turqi për në Eregli në Detin e Zi. Anija 91 metra e gjatë Alsu po lundronte nga Kocaeli, në lindje të Stambollit, për në Aliaga në bregdetin e Egjeut.
Ngushticat turke, të përbëra nga Ngushtica e Bosforit dhe Ngushtica e Dardaneleve në të dy skajet e Detit Marmara, janë ndër korridoret më të ngarkuara të transportit detar në botë, me qindra mijëra anije që kalojnë tranzit midis Detit Mesdhe dhe Detit të Zi çdo vit./mxh
