Kuvendi zhvilloi më 27 janar seancën e tretë plenare për këtë vit, e cila u shoqërua me debate të gjata dhe diskutime intensive mbi disa ligje dhe akte normative me ndikim të gjerë.
Pas rreth 18 orësh diskutimesh, deputetët miratuan me 85 vota pro ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kanë ngjallur reagime dhe diskutime të shumta në opinionin publik.
Një nga ndryshimet më të debatuara lidhet me çështjen e fyerjes dhe shpifjes, tema që u trajtua edhe nga avokatja Brunilda Lika, e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ku ajo sqaroi propozimet e bëra nga mazhoranca dhe opozita, si dhe ndikimin e tyre në kuadër të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Brunilda Lika: Që në të arrijmë të anëtarësohemi në Bashkimin Europian duhet që t’i bashkohemi legjislacionit të Bashkimit Europian. Kodi jonë Penal në nenin 119 dhe 120 e ka parashikuar fyerjen dhe shpifjen si kundravajtje penale. Mesa jam informuar nga opozita është propozuar që këto dy vepra të parashikuara në Kodin Penal të shfuqizohen tërësisht. Është çështje e formimit dhe mentalitetit që ka një vend, pra është kultura që kemi si popull. Nëse do të flasim për qytetarët gjermanë, ata janë ndër breza të edukuar që shpifja dhe fyerja nuk është vetëm ligjërisht e ndaluar, por është edhe moralisht e ndaluar. Nga opozita është bërë një propozim që këto dy nene të përjashtohen, pra të mos ekzistojnë më në Kodin Penal. Nga ana e ministrit është propozuar që të mbeten në fuqi, por të kenë përjashtim vetëm gazetarët, të cilët duhet të jenë të lirë në dhënien e informacionit dhe lirinë e shprehjes. Çdo ligj që miratohet kërkon një mbikëqyrje të posaçme nga institucionet përkatëse dhe nga individë që janë kompetentë për këtë.
Brunilda Lika: Do e shohim në praktikë në fakt, por sigurisht që ka ardhur si një ndryshim i diskutuar gjatë./kb
