Ministri i Jashtëm i Ganës e ka cilësuar skllavërinë si “krimin më të tmerrshëm që ka ndodhur në historinë e njerëzimit”, në një intervistë për BBC, në prag të një votimi të rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Shtetet anëtare pritet të votojnë mbi një rezolutë të udhëhequr nga Gana, e cila synon të njohë tregtinë transatlantike të skllevërve si “krimin më të rëndë kundër njerëzimit”.
Propozimi u bën thirrje vendeve anëtare të OKB-së të shqyrtojnë mundësinë e kërkimit të faljes për skllavërinë dhe të kontribuojnë në një fond për dëmshpërblime.
Megjithatë, rezoluta pritet të hasë kundërshtime, pasi vende si Mbretëria e Bashkuar kanë refuzuar prej kohësh pagesën e dëmshpërblimeve, duke argumentuar se institucionet e sotme nuk mund të mbajnë përgjegjësi për padrejtësitë e së kaluarës.
Mbështetësit e nismës, mes tyre Bashkimi Afrikan dhe Komuniteti i Karaibeve, e konsiderojnë këtë hap si të domosdoshëm për drejtësi dhe shërim historik.
Ministri i Jashtëm i Ganës, Samuel Okudzeto Ablakwa, deklaroi për BBC se kërkesa për kompensim nuk është në interes personal të liderëve afrikanë.
“Ne kërkojmë drejtësi për viktimat dhe mbështetje për iniciativa konkrete, si fondet arsimore, fondet për zhvillim dhe trajnim profesional”, tha ai.
Fushata për dëmshpërblime ka fituar vrull në vitet e fundit. “Drejtësia riparuese” ishte tema zyrtare e Bashkimit Afrikan për vitin 2025, ndërsa liderët e Commonwealth-it kanë bërë thirrje për dialog mbi këtë çështje.
Ablakwa theksoi gjithashtu se Gana nuk synon të krahasojë vuajtjet e saj me ato të të tjerëve, por të dokumentojë një fakt historik.
Sipas të dhënave historike, midis viteve 1500 dhe 1800, rreth 12 deri në 15 milionë njerëz u kapën në Afrikë dhe u dërguan në Amerikë, ku u detyruan të punonin si skllevër. Mbi dy milionë prej tyre besohet se humbën jetën gjatë udhëtimit.
Rezoluta që pritet të hidhet në votim të mërkurën thekson se pasojat e skllavërisë vazhdojnë edhe sot, përmes pabarazive racore dhe nënzhvillimit që prekin afrikanët dhe pasardhësit e tyre në mbarë botën.
“Shumë breza vazhdojnë të vuajnë përjashtimin dhe racizmin, si pasojë e tregtisë transatlantike të skllevërve, e cila ka lënë miliona njerëz të ndarë nga kontinenti dhe në varfëri”, u shpreh Ablakwa.
Gana, një nga pikat kryesore të nisjes së kësaj tregtie, ka qenë prej kohësh një zë i fortë në mbështetje të dëmshpërblimeve.
Fortesat përgjatë bregdetit të Afrikës Perëndimore, ku dikur mbaheshin në kushte çnjerëzore mijëra afrikanë të skllavëruar, qëndrojnë ende sot si dëshmi e kësaj periudhe.
Rezoluta kërkon gjithashtu kthimin e artefakteve kulturore të grabitura gjatë periudhës koloniale në vendet e origjinës.
“Ne kërkojmë kthimin e të gjitha këtyre objekteve, që përfaqësojnë trashëgiminë, kulturën dhe rëndësinë tonë shpirtërore”, tha Ablakwa.
Presidenti i Ganës, John Dramani Mahama, e cilësoi rezolutën si “historike” dhe “një garanci kundër harresës”, në një fjalim në OKB të martën.
Ai kritikoi gjithashtu administratën e Donald Trump, duke e akuzuar për “normalizimin e fshirjes së historisë së zezakëve”.
Që nga rikthimi në pushtet, presidenti amerikan ka ndërmarrë masa ndaj institucioneve kulturore dhe historike në SHBA, duke i akuzuar ato për promovim të “ideologjisë anti-amerikane”.
Këto politika kanë çuar në iniciativa si rikthimi i statujave të Konfederatës dhe përpjekje për të çmontuar një ekspozitë mbi skllavërinë në Filadelfia.
“Sipas Mahama-s, këto politika po shërbejnë si model edhe për qeveri të tjera dhe disa institucione private.”/mxh
