Last Updated on 23/04/2026 by EL
Gati 10 mijë aplikime në dy muaj. Qytetarë dhe biznese po rivlerësojnë pronat e tyre.
Gjin Gjoka, sipërmarrës në “Real Estate”, shprehet për A2CNN: “Miratimi i rivlerësimit ka dhënë një lloj zhbllokimi të kontratave, të marrëveshjeve të shitjes dhe blerjeve. Një frymëmarrje në tregun e pasurive të paluajtshme”.
Të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës tregojnë se interesi më i madh është në Tiranë dhe Durrës, ku kërkesa për prona është më e lartë, dhe njëkohësisht edhe çmimet janë rritur më shumë.
“Ju them qytetarëve që t’u drejtohen agjencive, noterëve për të kryer rivlerësimin e pronave. Po ikin gati tre muaj kanë ikur dhe procesi zgjat vetëm deri në fund të vitit”, theksoi Gjoka.
Pas odisesë së gjatë 2-vjeçare pritje, rivlerësimi i pronave nisi por jo pa probleme. Nga njëra anë agjentët vlerësuar po hasin vështirësi me vulat elektronike e nga tjetra qytetarët nuk po arrijnë dot të regjistrojnë në E-Albania dokumentacionin.
Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme, deklaron: “Që në fazën e parë u kuptua se do të kishte pengesa teknike. Platforma ka pasur ndërprerje dhe mosfunksionime të herëpashershme, ndërsa procedurat elektronike nuk kanë qenë gjithmonë të qarta për përdoruesit. Këto vështirësi kanë krijuar radhë pritjeje dhe pasiguri si për profesionistët, ashtu edhe për qytetarët që kërkojnë të përfundojnë aplikimin”.
Me gjithë dokumentacionin e plotësuar dhe tarifat e paguara, zotëruesit e pronave nuk po arrijnë dot të përfundojnë me sukses procesin e rivlerësimit.
“Ka raste kur dokumentacioni është i saktë dhe pagesat janë kryer, por sistemi nuk e finalizon aplikimin për shkak të problemeve me verifikimin ose me vulat elektronike. Kjo i detyron aplikantët të ribëjnë hapa të caktuar dhe shton kohën e procesit. Në praktikë, kjo do të thotë më shumë kosto dhe më shumë pritje për zotëruesit e pronave”, u shpreh Demirxhiu.
Procesi i rivlerësimit do të jetë i hapur deri më 31 dhjetor 2026. Të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në fundvit./et
