Gazetari Andi Tela, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke krahasuar kërkesat e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-presidentit Ilir Meta, me atë të qeverisë për zv/kryeministren Belinda Balluku, në Gjykatën Kushtetuese, u shpreh se kjo e fundit ndryshon sepse bëhet fjalë nëse SPAK ka kompetenca të pezullojë një anëtar të qeverisë.
“Një pjesë e juristëve mendojnë se duhej marrë ajo masë dhe një pjesë mendojnë se jo. Prandaj këto çështje përfundojnë në GJK. Çështja e zonjës Balluku, është ndryshe nga Veliaj dhe Meta. Për Ballukun kemi debatin për kompetencat, nëse ka SPAK kompetenca të pezullojë nga detyra një ministër apo zv.kryeministër. Për Veliajn flasim për masën e arrestit, a është e drejtë të qëndrojë në burg siç ka vendosur Gjykata e Posaçme?
Nuk jam i qartë pse Veliaj kërkon rikthimin në shkallën e parë.
Zoti Veliaj në këtë histori, e shoqëron precedenti i zotit Beleri, që ndejti në burg pa afat nga shkalla e parë dhe apeli dhe gjykata e lartë.
Beleri kërkonte një ditë liri për t’u betuar. GJK, me shumicë votash, 7-2, tha që nuk ka arsye që të ndërpritet masa e arrestit për të shkuar të betohet, sepse vendimi që ka dhënë GJKO, është më i vlefshëm në raport me atë që ka bërë Beleri”- tha Tela. m.p.
