Jonathan, breshka gjigante që besohet se ka lindur në vitin 1832, po ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më shumë rreth plakjes dhe jetëgjatësisë.
I konsideruar si kafsha më e vjetër tokësore që jeton sot, Jonathan është rreth 194 vjeç dhe jeton në ishullin Shën Helena, në Atlantikun Jugor. Ai ka jetuar më gjatë se shumë breza njerëzish dhe ka qenë bashkëkohës i Charles Darwin dhe Mbretëreshës Victoria.
Shkencëtarët që kanë analizuar ADN-në e tij kanë identifikuar 287 variante gjenetike që lidhen me mekanizma mbrojtës të organizmit, si riparimi i dëmtimeve të ADN-së, reduktimi i inflamacionit, rregullimi i insulinës dhe mbrojtja kundër kancerit.
Një nga zbulimet më interesante është se disa mekanizma që kontrollojnë funksionimin e gjeneve të tij kanë mbetur jashtëzakonisht të qëndrueshëm ndër vite, veçanërisht ata që lidhen me riparimin e ADN-së dhe metabolizmin.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Science Advances, mund t’u japë studiuesve të dhëna të reja për mënyrën se si organizma të caktuar arrijnë të jetojnë për kaq gjatë. Shkencëtarët shpresojnë që këto zbulime, në të ardhmen, të ndihmojnë edhe në kërkimin e mënyrave për të ngadalësuar proceset e plakjes te njerëzit.
Jonathan jeton në ishullin Shën Helena që prej vitit 1882, kur mbërriti nga Seychelles si dhuratë për guvernatorin e atëhershëm. Pavarësisht moshës së jashtëzakonshme, ai vazhdon të jetë një nga banorët më të njohur të ishullit./ad
