Një konferencë për mediat e huaja është shoqëruar me një moment mjaft pikant dhe plot humor mes Kryeministrit Edi Rama dhe një gazetareje irlandeze. Gjatë takimit, gazetarja i ka kërkuar kreut të qeverisë shqiptare një autograf në një libër, moment ky që ka nxitur menjëherë ironinë dhe batutat e njohura të Ramës.
Pasi sqaroi shkurtimisht se për ishullin nuk ka ende asnjë skicë të paraqitur sepse fillimisht duhet një marrëveshje, kryeministri u tregua i gatshëm për të bërë dedikimin, duke zgjedhur disa fjalë të pazakonta. Ai u shpreh se nëse do të kishte një zgjedhje në një jetë tjetër do të donte të ishte irlandez, pasi i pëlqen shumë ky popull, dhe më pas nisi të diktonte autografin që po shkruante: “Dëshironi një dedikim? Do t’ju shkruaj: Nga një vrasës flamingosh. Jeni irlandeze, shumë mirë, më pëlqejnë shumë. Nëse do të kisha një zgjedhje në një jetë tjetër, do të doja të isha irlandez.”
Më tej, Rama lexoi me zë të lartë mesazhin e plotë, duke shtuar me shaka se ky dedikim mund të ngrinte dyshime te partneri i gazetares. “Për lulen time irlandeze, nga një vrasës flamingosh. Shpresoj ta kuptojë edhe bashkëshorti, sepse duket shumë e dyshimtë”, u shpreh kryeministri./a.d
