Last Updated on 18/12/2025 by Monika
Këtë të enjte, në Komunën e Rahovecit janë gjetur mbetje mortore. Sipas dyshimeve, i përkasin viktimave gjatë luftës në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Njësitë policore nga Sektori për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore kanë realizuar një urdhëresë ku gjatë gërmimit (eksumimit) kanë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin të paktën një personi të zhdukur në kohën e luftës në Kosovë”, thuhet në raportin e Policisë.
Mbetjet janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminime mjeko-ligjore.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thekson se gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, gjatë së cilës janë gjetur dy pjesë eshtërore.
“Nga Komisioni është bërë e ditur se ky lokacion është edhe lokacioni i fundit i planifikuar për gërmime vlerësuese gjatë vitit 2025. Me këtë rast, institucionet kanë njoftuar se të enjten, më 19 dhjetor, duke filluar nga ora 11:00, do të ketë prononcim për media nga vetë lokacioni, lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacionet tjera”, thuhet në njoftim.
Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur./mxh
