Vajza e Tommy Lee Jones, Victoria Jones, sipas mediave amerikane, është gjetur e pajetë.
Fillimisht u raportua se një grua 34-vjeçare u gjet e pajetë në orët e para të mëngjesit në hotelin Fairmont San Francisco në Kaliforni. Një zëdhënës i Departamentit të Policisë së San Franciskos i tha medias se oficerët iu përgjigjën një telefonate nga stafi i hotelit rreth orës 3 të mëngjesit.
Në vendngjarje, ndihmësit mjekësorë e shpallën individin, të identifikuar si Victoria Jones, si të pajetë ndërsa shkaku nuk është bërë ende i ditur.
Përfaqësuesit e familjes Jones nuk kanë komentuar ende mbi ngjarjen.
Victoria ishte vajza e Tommy Lee Jones me gruan e tij të dytë, Kimberlea Cloughley.
Victoria debutoi në aktrim në filmin e babait të saj në vitin 2002, Men in Black II, dhe pati një rol të vogël në debutimin e tij si regjisor në vitin 2005, The Three Burials of Melquiades Estrada. Përveç kësaj, ajo u shfaq në një episod të One Tree Hill në vitin 2005./K.M
