Kate Middleton njihet për një stil klasik që rrallë ka nevojë të jetë i ekzagjeruar për të tërhequr vëmendjen. Në vend që të ndjekë çdo trend të momentit, Princesha e Uellsit zakonisht zgjedh prerje të përjetshme, ngjyra elegante dhe veshje që mund të duken po aq të bukura edhe pas disa vitesh. Dhe pikërisht një nga paraqitjet e saj të fundit dëshmon se një veshje tradicionale nuk ka pse të duket e vjetruar.
Princesha Catherine dhe Princi William shoqëruan djalin e tyre të madh, George, në ditën e parë të shkollës në Kolegjin Eton. Për 13-vjeçarin, kjo shënoi fillimin e një kapitulli të ri, por edhe vazhdimin e një tradite familjare, pasi edhe Princi William ka studiuar në këtë shkollë. Në ditën e tij të parë në Eton, në vitin 1995, ai u shoqërua nga Princeshë Diana.

Për këtë rast të veçantë, Kate zgjodhi një fustan jeshil të errët në nuancën e pyllit, nga stilistja Emilia Wickstead, një prej stilisteve të preferuara të familjes mbretërore. Ajo e kombinoi me këpucë kafe të errët me taka të ulëta dhe bizhuteri floriri, mes tyre një varëse me zinxhir të trashë nga Laura Lombardi dhe vathë nga Cartier.

Por fustani nuk ishte një blerje e re. Princesha Catherine e ka veshur të njëjtin model edhe në vitin 2022, gjatë një vizite në Boston. Kjo është një tjetër dëshmi se një paraqitje elegante nuk kërkon domosdoshmërisht një veshje të re dhe se pjesët klasike mund të rikthehen pa humbur hijeshinë.




Madje, edhe pse fustani nuk është i ri, pamja e Kate është në harmoni të plotë me tendencat e vjeshtës 2026. Arsyeja? Ajo ka bashkuar tri prej tendencave kryesore të sezonit në një veshje të vetme.
1. Jeshilja e errët
E para është ngjyra. Nuanca e gjelbër e thellë, e ngjashme me ngjyrën e pyllit, është një nga tonet që dallohen në modën e sezonit vjeshtë-dimër 2026–2027. Këtë sezon, ngjyrat e tokës janë veçanërisht të pranishme, duke e bërë jeshilen e errët një zgjedhje shumë aktuale.
2. Gjatësia mesatare
Tendenca e dytë lidhet me gjatësinë e fustanit. Kate zgjodhi, siç bën shpesh, një gjatësi mes mesatares dhe të gjatë, me fundin që përfundon pak mbi kyçe.
Kjo gjatësi krijon një pamje elegante pa e bërë veshjen tepër formale dhe është veçanërisht praktike për kalimin nga një sezon në tjetrin. Fustanet dhe fundet e kësaj gjatësie mund të kombinohen po aq mirë me këpucë elegante apo balerina, sa edhe me çizme deri te gjuri.
3. Eleganca femërore
Tendenca e tretë lidhet me pamjen në tërësi. Pas disa sezonesh ku dominuan prerjet e gjera dhe veshjet e rehatshme, eleganca femërore po rikthehet në modë.
Bel i theksuar, dekolte femërore dhe funde që bien lirshëm krijojnë një pamje të kuruar dhe elegante, e cila pritet të jetë shumë e pranishme gjatë vjeshtës 2026.
Fustani i Kate i përmban të gjitha këto elemente, duke treguar se stili i saj klasik është sërish në harmoni me atë që po shohim në modë këtë sezon.
Dhe fakti që Princesha e Uellsit zgjodhi të rikthejë një fustan që kishte veshur katër vite më parë e bën pamjen edhe më interesante: nuk është gjithmonë e nevojshme të blesh diçka të re për të krijuar një veshje aktuale./k.m
