Këngëtarja dhe kantautorja Meghan Trainor ka shfrytëzuar bullizmin në rrjetet sociale si material krijues për albumin e saj të ri, “Toy with Me”. Kënga kryesore, “Still Don’t Care”, i drejtohet drejtpërdrejt komenteve dhe kritikave që ajo merr rregullisht, nga humbja e peshës e deri te puna intensive.
“‘Still Don’t Care’ u frymëzua nga shumë komente të çmendura në rrjetet e mia sociale, komente që më dukeshin pa lidhje, sepse po punoj me shëndetin dhe formën time fizike prej dy vitesh,” tha Trainor në një intervistë për Reuters. Ajo shtoi se komentet ishin “regresive dhe më bënin të qaja, derisa mendova: ‘Kjo është absurde.’”
Vargjet e këngës përfshijnë të gjitha komentet fyese që ajo ka lexuar ose dëgjuar drejtpërdrejt, ndërsa në refren ajo shpërthen me një mesazh të fuqishëm: “Jo, ende nuk më intereson.”
Edhe pas më shumë se një dekade në industrinë e argëtimit, Trainor thotë se ende nuk ka zhvilluar “lëkurë të trashë”. “Kur lexoj komentet e njerëzve, duhet t’i kujtoj vetes se është vetëm një bot online, ose dikush që po kalon diçka shumë më të rëndë dhe po shkarkon zemërimin te të tjerët. E kam të vështirë t’i lë pas dore,” tha ajo.
Por, ndonëse pretendon se nuk i interesojnë opinionet për të, Trainor pranon se është shumë e përkushtuar për muzikën e saj. “Më intereson çdo detaj. Dua që produksioni të jetë perfekt. Do të luftoj derisa të jetë perfekt.”
Ajo foli edhe për rolin e saj si nënë e dy fëmijëve, Riley dhe Barry, të cilët i ka me aktorin e “Spy Kids”, Daryl Sabara. “Dua të jem versioni më i mirë i vetes që t’u jap atyre jetën më të mirë të mundshme. Ata nuk kërkuan të vijnë në këtë botë, unë kërkova t’i kem.”
Kënga “Still Don’t Care” ka dalë tashmë në treg. Albumi i plotë do të publikohet më 24 prill 2026 dhe Trainor do të nisë turneun amerikan “Get It Girl” vitin e ardhshëm, së bashku me fëmijët e saj./mxh
