Edhe pse sot është një nga këngëtaret më të njohura në botë, Dua Lipa nuk i harron rrënjët dhe kujtimet e fëmijërisë. Gjatë një interviste për revistën “Vogue”, në rubrikën e famshme “73 Questions”, artistja shqiptare tregoi se shqipja ishte gjuha e saj e parë dhe zbuloi edhe shprehjen që dëgjohej më shpesh në shtëpinë e saj.
E pyetur se cila ishte fjalia shqipe që përsëritej vazhdimisht në familje, Dua u përgjigj me buzëqeshje: “Çka ka me hangër?”. Ajo shpjegoi se bëhej fjalë për pyetjen e zakonshme që lidhej me atë se çfarë do të kishte për të ngrënë në darkë.
Një përgjigje e thjeshtë, por që sjell në vëmendje atmosferën familjare dhe zakonet me të cilat është rritur këngëtarja. Pavarësisht suksesit ndërkombëtar dhe jetës mes udhëtimeve e koncerteve, këto detaje të vogla mbeten pjesë e kujtimeve të saj shqiptare./mxh
