Gjermania i ka kërkuar Sllovakisë të tregojë më shumë mbështetje për masat e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, në kuadër të luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë vizitës në Bratislavë, tha pas takimit me homologun sllovak Juraj Blanár se të dyja vendet shprehën “mbështetje të plotë për Ukrainën”.
Sipas Wadephul, kjo mbështetje përfshin edhe ndërprerjen e furnizimeve energjetike nga Rusia. Ai theksoi se vendet anëtare të BE-së duhet të “qëndrojnë së bashku” përballë Moskës.
“Duhet të ushtrohet më shumë presion” ndaj Rusisë, tha ministri gjerman, duke argumentuar se Moska nuk po tregon gatishmëri për paqe, ndërsa Ukraina ka deklaruar vazhdimisht se është e gatshme t’i japë fund luftës.
Wadephul paralajmëroi gjithashtu se BE-ja nuk mund të përballojë situatën kur shtete individuale anëtare bllokojnë masa të përbashkëta, përfshirë sanksionet.
Nga ana e tij, Blanár dënoi luftën ruse ndaj Ukrainës si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, por përsëriti qëndrimin e Bratislavës se konflikti nuk mund të zgjidhet përmes mjeteve ushtarake.
Ai theksoi nevojën për negociata me Rusinë. “Rusia nuk do të zhduket nga harta”, deklaroi ministri sllovak.
Qeveria e kryeministrit Robert Fico ka kritikuar shpesh sanksionet e BE-së ndaj Moskës dhe ka mbajtur një qëndrim më të afërt me Rusinë krahasuar me shumë prej partnerëve të Sllovakisë në BE dhe NATO./mxh
