Gjermania po kundërshton planin e Komisionit Evropian për të taksuar energjinë elektrike me një normë më të ulët se gazin natyror, duke argumentuar se Brukseli po përpiqet të përdorë legjislacionin për tregun e energjisë elektrike për të vendosur rregulla që duhet të trajtohen përmes ligjeve të BE-së për taksat. Sipas një letre të parë nga Euronews, Berlini paralajmëron se kjo qasje mund të cenojë sovranitetin kombëtar në çështjet fiskale.
Gjermania kundërshton veçanërisht faktin që propozimi mund të miratohet me shumicë të cilësuar, ndërsa vendimet për taksat në BE tradicionalisht kërkojnë unanimitet. “Kam dyshime të mëdha se propozimi mund të miratohet me shumicë të cilësuar. Ai bie ndesh me kërkesën për unanimitet në çështjet tatimore dhe ndërhyn drejtpërdrejt në sovranitetin kombëtar fiskal dhe buxhetor”, shkruan Bastian Fleig, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë gjermane të Financave.
Përplasja vjen në një moment kur BE-ja po përpiqet të përshpejtojë elektrifikimin e industrisë, transportit dhe sektorit energjetik, me synimin për të ulur varësinë nga lëndët djegëse të importuara. Brukseli ka vendosur një objektiv prej 46% elektrifikim deri në vitin 2040, ndërsa pasiguria rreth ngushticës së Hormuzit ka shtuar presionin për të reduktuar varësinë nga energjia fosile e importuar. Megjithatë, energjia elektrike mbetet dukshëm më e shtrenjtë se gazi në shumicën e vendeve të BE-së, shpesh tre deri në pesë herë më e kushtueshme, duke e bërë më pak tërheqëse kalimin drejt teknologjive të pastra, si pompat e nxehtësisë.
Gjermania argumenton se Komisioni po përpiqet të rikthejë në mënyrë indirekte një klasifikim të energjisë që ishte lënë jashtë kompromisit të mëparshëm për Direktivën e Taksimit të Energjisë. Berlini kërkon që çështja e taksimit të energjisë elektrike të trajtohet përmes kësaj direktive dhe jo përmes ligjit për tregun e energjisë.
Komisioni Evropian, nga ana tjetër, mbështetet nga organizata të sektorit të energjisë, të cilat argumentojnë se diferenca e madhe mes çmimit të energjisë elektrike dhe gazit po pengon elektrifikimin. Sipas të dhënave të Komisionit, tarifat e rrjetit dhe taksat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të faturave: tarifat e rrjetit arrijnë në 27% të faturave familjare të energjisë elektrike dhe 21% të atyre të bizneseve, ndërsa taksat dhe tarifat kombëtare shtojnë përkatësisht 24% dhe 16%. Gjermania thekson se mbështet objektivin e BE-së për elektrifikim dhe transformim energjetik, por kundërshton mënyrën se si Komisioni po përpiqet ta realizojë atë. Negociatat mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për këtë çështje pritet të nisin pas pushimeve të verës, nën presidencën irlandeze të BE-së./ad
