Numri i rasteve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në Gjermani ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, sipas të dhënave më të fundit të Policisë Kriminale Federale gjermane (BKA).
Autoritetet bënë të ditur se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 17.126 raste të dhunës seksuale ndaj të miturve. Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme krahasuar me pesë vitet e mëparshme.
Ekspertët vlerësojnë se kjo rritje nuk lidhet vetëm me shtimin e rasteve, por edhe me përmirësimin e mekanizmave të zbulimit dhe me një ndërgjegjësim më të madh të viktimave dhe familjeve për të raportuar abuzimet.
Sipas policisë gjermane, autorët e këtyre krimeve po përdorin gjithnjë e më shumë hapësirat online, përfshirë rrjetet sociale, aplikacionet e komunikimit dhe platformat e lojërave, për të krijuar kontakte me fëmijët.
Përballë kësaj situate, autoritetet kërkojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimin e mjeteve ligjore e hetimore për të luftuar abuzimin seksual online ndaj të miturve.
Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kanë kërkuar rritjen e investimeve në parandalim, edukim dhe mbështetje për viktimat, duke theksuar se siguria e fëmijëve duhet të mbetet një prioritet kombëtar.
Ndërkohë, prindërit këshillohen të tregojnë më shumë vëmendje ndaj aktivitetit të fëmijëve në internet dhe të komunikojnë hapur me ta për rreziqet që mund të hasin në hapësirën digjitale./mxh
