Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin veprime nëse rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, vendosin një bllokadë në Detin e Kuq, sipas AP.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Trump la të kuptohej se situata nuk përbën aktualisht një shqetësim të menjëhershëm.
“Deri më tani, kjo nuk ka ndodhur. Mendoj se nëse ndodh diçka e tillë, ne thjesht do të kujdesemi për situatën”, tha ai.
Agjencia e lajmeve SABA, e drejtuar nga Hourhi, raportoi se gjashtë anije u detyruan të ndryshonin itinerarin sot, pasi morën paralajmërime nga rebelët.
Kjo ndodhi një ditë pasi rebelët Houthi shpallën një embargo detare ndaj Arabisë Saudite.
“Kohët e fundit, nuk kemi pasur asnjë problem me rebelët Houthi dhe as ata nuk kanë pasur probleme me ne, për një periudhë të gjatë, përfshirë edhe gjatë këtij konflikti”, tha Trump./mxh
